“Kur dëgjon për Shqipërinë fillimisht frikësohesh”, mesfushori spanjoll i Kukësit tregon aventurën te verilindorët: Të gjithë të ndjekim stilin e Longos

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 17, 2021 | 13:32

“Kur dëgjon për Shqipërinë fillimisht frikësohesh”, mesfushori spanjoll i Kukësit tregon aventurën te verilindorët: Të gjithë të ndjekim stilin e Longos

Pablo de Lukas ishte një investim i drejtpërdrejtë i trajnerit Diego Longos për ta afruar në skuadër, duke qenë se të dy së bashku kishin punuar edhe më herët. Ndaj, për spanjollin është më e lehtë të përshtatet me stilin e tij të të luajturit. Në një prononcim për “RTSH” para sfidës me Kastriotin, 35-vjeçari pohoi se do të hyjnë në fushë për të fituar, teksa synimi i tyre është që të përmirësohen nga ndeshja në ndeshje.

auto_pablo-torres1631873489

“Punojmë që të jemi një ekip i mirë dhe punojmë të përmirësohemi sa më shumë. Duhet të mendojmë si të fitojmë me Kastriotin dhe ky është mendimi ynë kryesor për momentin. Është një eksperiencë e re, një sfidë e re, sepse kur ndryshon vend, është përherë e vështirë të përshtatesh sa më shpejt që të jetë e mundur, edhe pse unë jam mësuar tashmë me këtë rutinë. Besoj se ky është një avantazh që unë kam në këtë rast. Çdo vend ka stilin dhe filozofinë e vet të lojës. Ju këtu në Shqipëri keni më shumë lojë fizike, mbrojtëse, ndërsa në Greqi ka më shumë taktikë. Në këtë aspekt, është ndryshe kudo që shkon. Ne në Spanjë e kemi të rrënjosur stilin tonë dhe nuk mund ta ndryshojmë lehtësisht, nuk negociojmë me këtë gjë, as kur fitojmë, por as kur humbasim”, u shpreh fillimisht De Lukas.

BASHKËPUNIMI ME LONGON – Spanjolli i Kukësit vlerëson stilin e lojës që po aplikon trajneri dhe kërkon që të gjithë të përshtaten me idetë e tij. “Për mua ky është një stil që më shkon shumë përshtat. Longo është trajneri im, ka qenë i tillë edhe për një vit e gjysmë në Greqi apo Rumani dhe e njoh mjaft mirë. E di shumë mirë se çfarë kërkon ai. Unë besoj se stili që ai propozon është i aplikueshëm në çdo vend. Le të marrim shembull Italinë, ku është luajtur përherë në stilin katenaço dhe tani luajnë një futboll më interesant, me shumë pasime dhe të shpejtë. Ne duhet të përshtatemi të gjithë me idetë e tij dhe ajo që është më e rëndësishme, të stërvitemi shumë çdo ditë”, vijoi më tej mesfushori i verilindorëve.

SHQIPËRIA – De Lukas ka vetëm një muaj e gjysmë në Shqipëri, por vendi ynë e ka surprizuar, duke zbuluar se këtu ka marrë edhe familjen. “Jam i surprizuar në aspektin pozitiv. Kur dëgjon fjalën Shqipëria, ndoshta fillimisht je pak i frikësuar, por jo. Unë kam një muaj e gjysmë këtu dhe të gjithë janë miqësorë.

De Lukas Kukesi

Ky është një vend i qetë dhe jam shumë i lumtur. Prova e vërtetë për këtë është se këtu ka mbërritur edhe bashkëshortja ime me njerëzit e saj dhe ata ndihen mirë gjithashtu. Nuk mund ta krahasoj Shqipërinë me një vend të veçantë ku kam luajtur, por mund të them se ka nga pak nga të gjitha ato vende, si Greqia, Spanja apo Rumania”, u shpreh për mediat një nga lojtarët më me eksperiencë të Kukësit, Pablo de Lukas.

V. MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"