Kukësi, tri “prova” në funksion të finales së Kupës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 1, 2024 | 10:32

Kukësi, tri “prova” në funksion të finales së Kupës

Tri ndeshjet e fundit të kampionatit Kukësi do t’i luajë në funksion të finales së Kupës së Shqipërisë, ku do të diskutojë trofeun me Egnatian. Ndeshjen me Erzenin kuksianët e presin pa shumë pretendime. Në fakt, një gjë e tillë u pa edhe me Teutën, ku verilindorët u mundën 0-2. Ajo që ra më shumë në sy ishte lënia pushim e disa titullarëve, të lodhur nga gjysmëfinalja e kthimit më Tiranën. Mbetet të shihet, nëse edhe me shijakasit do të përdoret rrotacion masiv, por e sigurt është se do të ruhen në maksimum nga dëmtimet lojtarët kryesorë. Kukësi nuk ka mungesa për shkak kartonësh, por kjo pak rëndësi ka tani.

Kukesi

FAVORI KUNDËR EGNATIAS – Ndoshta nuk ka ndodhur ndonjëherë në histori që të shohësh të diskutojnë finalen e Kupës dy skajet e klasifikimit. Egnatia kryeson renditjen, ndërsa skuadra e trajnerit Devolli mbyll renditjen. Në letër finalja ka një disnivel të madh, por duhet theksuar se Kukësi ka eliminuar kundërshtarë të fortë si Partizani dhe Tirana. Nëse nga të gjitha aspektet është favorit ekipi kryesues, në rastin konkret Egnatia, edhe Kukësi ka një favor në krahasim me rrogozhinasit. Verilindorët kanë vetëm një objektiv në lojë: Kupën. Ndryshe nga rrogozhinasit, të cilët kanë synime të mëdha edhe në kampionat.

Ky fakt mund t’i shpërqendrojë disi ata dhe Kukësi do të mundohet ta shfrytëzojnë për të ngushtuar diferencat teknike me kryesuesit e kampionatit. Për të kuptuar që “ora” e Kukësit tani punon vetëm për finalen e pranoi edhe vetë trajneri Bledar Devolli në fund të sfidës me Teutën, duke thënë se tani vëmendja është vetëm 14 maji. Megjithatë, deri atëherë ka edhe dy javë kohë dhe mbetet për t’u parë se si do të vijnë ekipet nga ana fizike dhe morale. E rëndësishme për kuksianët është që kanë nisur të besojnë se mund ta çojnë një trofe në shtëpi, duke parë se kanë eliminuar tri skuadra me potencial, si Elbasani, Partizani dhe në fund Tirana.

VLADIMIR MEMA

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"