Kukësi “pazar” tek Tirana, tentohet mbrojtësi që do zëvendësojë Hallaçin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 30, 2017 | 10:50

Kukësi “pazar” tek Tirana, tentohet mbrojtësi që do zëvendësojë Hallaçin

Tirana mund të hum basë edhe një lojtar për krahun e djathtë. Veç Albi Dokës që është në shitje dhe në pritje të ofertës më të mirë, edhe Dorian Kërçiku rrezikon një largim të mundshëm. Ai është vënë në “shënjestrën” e disa ekipeve dhe ofertat për të vijnë nga Kategoria Superiore.

Kukësi po tenton të joshë 24-vjeçarin e kryeqytetasve. Bisedimet paraprake nuk mungojnë dhe, nga sa mësohet, verilindorët e llogarisin këtë lojtar si zëvendësuesin ideal të Rraman Hallaçit. Kampionët në fuqi të vendit kanë projektuar që mbrojtësit t’i japin një post në stafin teknik, ndaj menjëherë janë hedhur në kërkim të pasuesit të tij.

tirana

Drejtuesit veriorë kanë menduar që “pazar” të bëjnë pikërisht te kryeqytetasit, ku dihet “fiksimi” i kahershëm i tyre: Dorian Kërçiku. Është merkatoja e dytë radhazi që Kukësi tenton ta marrë këtë lojtar për linjën e djathtë dhe, nëse në verë nuk u bë asgjë, duhet parë se si do shkojë ky “operacion” tani. Ai ka qenë në listën e dëshirave të Mladen Milinkoviç që në krye të herës, por duket që, edhe pse trajneri ka ikur, Kukësi nuk do të heqë dorë prej tij.

kerciku

Ende nuk mund të flitet për diçka konkrete, megjithatë ditët e fundit të këtij viti ndoshta mund të sjellin edhe zhvillime. Kërçiku është lojtar i formacionit bazë të Tiranës, ndërsa nga 12 javë të luajtura deri në këtë fazë të kampionatit, ka luajtur në 11 ndeshje. Edhe pse në një moshë relativisht të re, ai është kthyer në një titullar të padiktueshëm te ky klub. Ky është sezoni i tij i pestë me Tiranën, ndërsa numëron plot 107 ndeshje zyrtare.

ADELA MERKO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"