Kukësi nuk ndalet në merkato, një tjetër lojtar pranë marrëveshjes

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 21, 2017 | 13:56

Kukësi nuk ndalet në merkato, një tjetër lojtar pranë marrëveshjes

Pasi ka mbyllur marrëveshjet me tre mesfushorë si Filip Osman, Albi Dosti dhe Maldin Ymeraj, tashmë Kukësi pritet të konkretizojë edhe afrimin e një sulmuesi serb.

“Panorama Sport” zbulon se 26-vjeçari Marko Obradoviç është pranë firmës me Kukësin. Zv/trajneri Ivan Gvovzdenoviç ia ka prezantuar lojtarin presidentit Gjici dhe trajnerit Milinkoviç.

obradovic

Serbi konsiderohet si një sulmues mjaft potent, i cili ka një karrierë të pasur, ku më parë ka luajtur në Belgjikë, më pas në Bosnje dhe së fundmi në kampionatin e Kazakistanit me Aktoben.

Mësohet se Obradoviç është pëlqyer shumë nga Milinkoviçi. Ai luan si sulmues qendre, por mund të përshtatet edhe nga krahët.

Gazeta mëson se palët kanë biseduar dhe për detaje kontraktuale, por sulmuesi kërkon një rrogë të konsiderueshme mujore, të cilën presidenti Gjici nuk e ka pranuar. Ky i fundit i ka ofruar një rrogë më të ulët nga sa lojtari pretendon.

1orbadovic

Gjithsesi, negociatat vijojnë dhe pritet që palët të bien dakord për një pagë mujore rreth 7 mijë euro. Për Kukësin, tashmë, kjo gjë është e mundur, pasi po të njëjtën rrogë merrte edhe Alijev.

Kësisoj, pagën e azerit pritet ta përfitojë serbi. Marrëveshja mes palëve është shumë afër dhe mbetet vetëm OK-i përfundimtar i presidentit Gjici, i cili është bindur nga aftësitë e lojtarit, teksa ka marrë garanci edhe nga stafi teknik.

Në pjesën e parë të sezonit, Kukësi ka vuajtur jo pak për një qendërsulmues tipik. Gjithsesi, Obradoviç pritet të plotësojë pritshmëritë e Kukësit. S.Sulozeqi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"