Kukësi nënkampion, Cikalleshi bën tripletë. Starova: Tani të fitojmë Kupën e Shqipërisë

Panorama Sport | Gazeta me e madhe sportive ne vend

Postuar: Maj 5, 2014 | 18:02

Kukësi nënkampion, Cikalleshi bën tripletë. Starova: Tani të fitojmë Kupën e Shqipërisë

Kukesi ekip para ndeshjes me LushnjenKUKËSI-LUSHNJA 4-1
GOLAT: Cikalleshi 1′, 25′,80′, Hysa 6′ / Gjoni 29′
KUKËSI: Koçi (Haxho 46′), Malota, Brahja (Musolli 46′), Smajli, Hallaçi, Shameti, Allmuça (Muçmata 80′), Hysa, Hoxha, Progni, Cikalleshi. (në dispozicion: Uçe, Susuam, Thorja, Dikanoviç). Trajner: Sulejman Starova
LUSHNJA: Shtrepi, E.Sula, M.Sula, Çela, Ruco, Ikonomi, Musaku, Gjoni, Gjyla, Shkurti (Hasani 81′), Petro. (në dispozicion: Pepa, Shurdhi, Liçka, Dervishi). Trajner: Artan Bano
VËZHGUES: Astrit Canaj (Durrës)
DELEGAT: Petrit Haxhia (Tiranë)
GJYQTARET: E.Demiraj (Pogradec), R.Preca (Elbasan), M.Dervishi (Shkodër);

MINUTAT
1′ Cikalleshi shënon golin më të shpejtë në karrierën e tij me Kukësin. Hoxha zbret rrufeshëm në krahun e majtë, depërton në zonë dhe fut një top tokazi ku në pritje është kavajasi, i cili nuk e ka të vështirë të mposhtë portierin Shtrepi.
6′ Kukësi ripërsërit aksionin e minutës së parë, por këtë herë autor është Hysa. Dhe 2-0!
17′ Hoxha gjuan fort drejt portës lushnjare, por pret portieri Shtrepi.
23′ Gjyla ka një rast ideal, gjuan fort por Koçi tregohet i vëmendshëm, duke mos lejuar prekjen e rrjetës.
25′ Hysa depërton bukur nga e djathta dhe gjen më pas të saktë Cikalleshin, i cili trefishon golin e tretë.
29′ Gjoni është i saktë në gjuajtje përballë Kocit, duke shkurtuar diferencën në 3-1.
71′ Cikalleshi gjuan fort, por topi përfundon jashtë kuadratit të portës.
80′ Sokoli pengohet në zonë dhe arbitri Demiraj akordon penallti. Ekzekutimin nga pika e bardhë e merr përsipër po Cikalleshi, duke e shndërruar në gol.

Kukësi mund Lushnjën dhe për të dytin vit radhazi është zyrtarizuar si nënkampion i Shqipërisë. Në një ndeshje ku Lushnja i ka pasur të mbyllura llogaritë me Superioren, veriorët nuk e kanë pasur aspak të vështirë të fitonin, ndonëse me “silenciator” për shkak të dënimit të fushës. Gjithsesi, kjo nuk i pengoi afro 500 ultras kuksianë të “pushtonin” pikat dominuese jashtë stadiumit, duke përcjellë me ovacione fitoren e ekipit të tyre të zemrës. Si për koincidencë, Kukësi zë vendin e dytë në renditje dhe po këtë vend mban edhe Sokol Cikalleshi, i cili pavarësisht tripletës të shënuar dje, nuk arriti të kapte kuotën e kroatit të Skënderbeut, Pero Pejiç.
Pjesa e parë – Kuksianët e nisin me gol që nga tuneli. Hoxha zbret rrufeshëm në krahun e majtë, depërton në zonë dhe fut një top tokazi, ku në pritje është Cikalleshi, i cili nuk e ka të vështirë të mposhtë portierin Shtrepi. Vendësit duken të uritur, ndërsa pesë minuta më vonë përsëritet thuajse i njëjti aksion, por këtë herë është Hysa që shënon golin e dytë dhe sjell qetësinë te Kukësi. Lushnjarët me një ekip të ri e kanë të vështirë të organizohen dhe të sulmojnë. Në minutën 23, verdhejeshilët kanë një rast me anë të Gjylës, por portieri Koçi nuk lejon prekjen e rrjetës. Minuta e 25-të sjell golin e tretë për Kukësin, me protagonist sërish Cikalleshin. Hysa depërton nga e djathta dhe jep një top për kavajasin, i cili gjuan fort duke trefishuar rezultatin. Lushnja nuk ka rrugë tjetër veçse të dëshmojë se është në fushë. Në minutën e 29-të, Gjoni pret me qetësi topin të cilin nuk e zotërojnë shokët e tij por që i rrëshqet edhe mbrojtjes së Kukësit dhe përballë Koçit nuk e ka të vështirë të shënojë, duke ngushtuar shifrat. Me rezultatin 3- 1, skuadrat respektive do të shkonin në dhomat e zhveshjes.
Pjesa e dytë – Duket se fati i lojës është vendosur që në pjesën e parë. Lushnjarët, edhe pse e përmirësojnë lojën e tyre, nuk mund të përmbysin rezultatin në fraksionin e dytë. Për vendësit bie në sy Hallaçi me disa marrje të krahut dhe futje të topave në zonë, por edhe Progni me veprime të bukura në fushë dhe lojë efikase. Në minutën e 56-të, Cikalleshi bën manovrim të bukur me topin, gjuan por jashtë. Në të 80-ën, lojtari sërish tenton por pengohet në mënyrë të parregullt nga një prej lojtarëve të Lushnjës dhe gjyqtari akordon një 11- metërsh. Ekzekutimin nga pika e bardhë e merr përsipër po Cikalleshi, duke e shndërruar në gol. Minutat deri në fund nuk ndryshojnë asgjë, Kukësi ruan petkun e nënkampionit.

MË I MIRI
Sokol Cikalleshi, golashënuesi i Kukësit, ishte padyshim lojtari më mirë në takimin e djeshëm. Jo vetëm për tre golat e shënuar, por ai ishte i lëvizshëm në fushë, duke u bërë kështu njeriu i ndeshjes. Për Kukësin, edhe lojtarë të tjerë si Progni, Hallaçi, Smajli bënë një paraqitje për t’u vlerësuar në takimin e djeshëm ndaj Lushnjës.

MË PAK AKTIVI
Portieri i Lushnjës, Josel Shtrepi, me katër golat e pësuar në takimin e djeshëm, mbetet një nga lojtarët më pak aktivë. Gjithashtu, një paraqitje jo të mirë bëri edhe kapiteni Sula, ndonëse prej tij pritej shumë në takimin e djeshëm, sfidë që i vlejti më shumë stafit teknik të verdhejeshilëve për të parë elementin e ri.

Starova ne Besa-Kukesi 0-1”Realizuam objektivin, tani të fitojmë kupën”
Sulejman Starova, numri një i pankinës së Kukësit, në konferencën për shtyp pas përfundimit të ndeshjes tha: “Është i dyti vit radhazi që Kukësi i gëzon tifozët e tij kudo që janë duke dalë nënkampion i Shqipërisë. Po të kemi parasysh se ne kemi dy pjesëmarrje në Superiore, këto rezultate janë të mëdha. Kemi realizuar objektivin minimal për të qenë në Kupat e Europës dhe të jemi nënkampionë. Tani po përgatitemi për Kupën e Shqipërisë dhe ndeshja me Lushnjën ishte një farë përgatitje për përballjen me Flamurtarin, pasi ne nuk kemi ndeshje javën tjetër, sipas kalendarit do të luajmë me Ballshin. Jemi në përgatitje për finalen e madhe të Kupës së Shqipërisë, më dëshirën e madhe që Kukësi ta ketë një trofe”, përfundoi Starova.

Bano Artan, trajneri i Lushnjes”Në sezonin e ri do të bazohemi te vendësit”
Trajneri i Lushnjës, Artan Bano, pas përfundimit të takimit u shpreh se luajtën me të rinj për të parë ndonjë element për sezonin e ri. “Jo pa qëllim ne luajtën me skuadër të re, sepse donim të shikonim disa lojtarë për sezonin e ri. Në takimin e sotëm (dje) ishte dita e futbollistëve të rinj, me objektivin për t’u ngjitur sërish në Kategorinë Superiore. Pavarësisht se ne u mundëm në ndeshjen me Kukësin, them se ia arritëm qëllimit. Provuam elementët e rinj pasi do të ofrojmë shumë lojtarë lushnjarë duke nisur që me portierin Spaho, e më pas më të tjerët”, ka përfunduar numri një i pankinës verdhejeshile, Artan Bano, skuadra e të cilit e ka prerë tashmë biletën e zbritjes në një kategori më poshtë.

Cikalleshi ka shenuar ndaj Tiranes“Bëra mbylljen e duhur, nder të vesh fanellën e Kombëtares”
Sokol Cikalleshi ka shënuar tre gola me Lushnjën, duke u renditur i dyti pas kroatit të Skënderbeut, Pero Pejiç. Dje, kavajasi mendohet se ka qenë dhe nën vëzhgimin e zëvendëstrajnerit të kombëtares, Paulo Tramexani. Pas përfundimit të ndeshjes, Sokol Cikalleshi u shpreh: “Bëra mbylljen e duhur të kampionatit duke shënuar tre gola. Si çdo gol tjetër që kam realizuar dhe këta të tre mbajnë djersën dhe mundin tim, por dhe kontributin e gjithë shokëve të ekipit që më kanë ndihmuar. Ne luajmë të gjithë bashkë për një objektiv, pavarësisht se kush i shënon golat. Unë dhe gjithë ekipi tani e kemi mendjen te kupa”. Për faktin që në tribunën VIP ka qenë edhe zëvendëstrajneri i Kombëtares dhe se ai ka qenë një prej të vëzhguarit, Cikalleshi tha: “Unë bëj detyrën time në fushë për çdo ndeshje, pavarësisht se kush është në tribunë dhe kush e shikon ndeshjen. Ndihem mirë nëse ka ardhur të më shohë mua. Pse ta fsheh, çdokush do të ishte i vlerësuar të merrte ftesën për në Kombëtare. Do ishte nder për mua dhe për ekipin tim, Kukësin, që ne të kishim lojtarë në ekipin kombëtar. Realisht Kukësi ka mjaft kualitete të tilla”, ka përfunduar Cikalleshi.

Tramexani me “mision” në Kukës, Gjici i dhuron fanellën veriore
Ndeshjen Kukësi-Lushnja e ka ndjekur nga afër dhe zëvendëstrajneri i Kombëtares shqiptare, Paulo Tramexani. Ai e ka ndjekur takimin së bashku me presidentin Gjici dhe drejtorin sportiv të Kukësit, Edmond Gëzdari. Menjëherë kanë nisur dhe pëshpëritjet se cilin lojtar po vëzhgonte italiani dhe zërat më së shumti shqiptonin emrin e Cikalleshit. Ndërkaq, në pushim të ndeshjes, presidenti Safet Gjici e ka pritur Paulo Tramexanin në zyrën e tij, ku i ka dhuruar atij dhe fanellën e Kukësit. “Ju falënderoj shumë për mikpritjen, mbeta i kënaqur. Jam i gëzuar dhe për dhuratën që m’u bë nga presidenti Gjici. Vizitë e bukur dhe respekt i madh për mua këtu në Kukës”, – ka deklaruar Tramexani. Ai e ka ndjekur ndeshjen deri në minutën e 70 dhe më pas është larguar nga shkallët e stadiumit “Zeqir Ymeri”.
JONUZ HALLAÇI





www.minuta90.com