Kukësi me mendjen tek Kupa, kundër Skënderbeut pritet të ketë rrotacion

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 18, 2024 | 10:16

Kukësi me mendjen tek Kupa, kundër Skënderbeut pritet të ketë rrotacion

Kukësi është duke i dhënë dorën e fundit përgatitjeve në kuadër të ndeshjes që do të luajnë nesër me Skënderbeun në shtëpi.

Kukesi

Këto janë sfidat e fundit që praktikisht verilindorët luajnë në Superiore, pasi vitin tjetër sipas të gjitha gjasave do të luajnë në të Parën. Vetëm nëse ndodh një mrekulli në pesë javë të mbetura, sepse duhet thënë se matematikisht ata vijojnë të jenë ende në garë, edhe pse nuk i kanë më vetë fatet e tyre në dorë.

Motivi kryesor i bluve në këtë përballje, do të jetë që ta mbajnë veten në garë sa më gjatë të jetë e mundur. Situata nga ana morale nuk është aspak e mirë, por gjithsesi në klub nuk duan të lëshojnë aspak në këtë fund kampionati, për më tepër që janë një hap finales së kupës dhe duan të jenë në formën maksimale në këto ndeshje dhe sidomos para asaj me Tiranën në mesjavë që vlen edhe finalen.

MOTIVIMI I LOJTARËVE

Ndonëse bëhet fjalë për një klub gati të rënë nga kategoria, në fund fare çdo lojtar ka edhe një motivim personal. Klubit vërtet i duhet të qëndrojë të paktën një sezon në një nivel më të ulët, por futbollistët mund të jenë sërish pjesë e elitës nëse bindin ndonjë skuadër të Superiores. Për këtëarsye, në kampin verilindor motivimi nga ana e lojtarëve duket se është në maksimum, për më tepër që një pjesë e tyre janë ende në moshë të re dhe duan të tregojnë veten e tyre, sidomos në këtë fazë të kampionatit kur po i drejtohemi fundit. Me pak fjalë, synimi i ekipit për të mos ulur moralin para kupës dhe motivimi personal i çdo lojtari, janë armët që do të përdoren nga verilindorët para ndeshjes me Skënderbeun dhe në vazhdim deri në mbyllje të kampionatit.

DILEMAT 

Nga njëra anë Kukësi do të mbajë gjallë shpresat në Superiore dhe nga ana tjetër është me një mendje tek kupa. Dilema këto që duket se lidhen edhe me formacionin që Bledar Devolli do të hedhë në fushë të premten. Gjasat janë që tekniku të mbështetet tek lojtarët më të mirë që ka në dispozicion, por nga ana tjetër i druhet edhe ndonjë dëmtimi të mundshëm. Gjithsesi, duket se Kukësi është i gatshëm për të dyja variantet ditën e premte.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"