“Kukësi duhet të rritet ende”, Nica para sfidës me Partizanin: Nuk është i pamposhtur

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 8, 2023 | 8:30

“Kukësi duhet të rritet ende”, Nica para sfidës me Partizanin: Nuk është i pamposhtur

Stavri Nica ndihet i kënaqur që dora e tij po ndihet te Kukësi, pasi në tri javët e fundit skuadra ka marrë shtatë pikë. Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, tekniku kërkon të ulë euforinë te të tijtë, duke kujtuar se janë ende në vendin e fundit. Sipas Nicës, sa më i pasigurt të jesh, aq më shumë rezultate merr, ndaj nuk i pëlqen të thuhet se skuadra po shkon drejt maksimumit të saj. Ai analizon edhe gabimet individuale, ndërsa vlerëson kundërshtarin e radhës, Partizanin, por nuk i sheh si të pamposhtur. Për këtë arsye do të hyjnë në fushë për të marrë një rezultat pozitiv.

stavri nica

Nica, sa i kënaqur jeni me skuadrën në këto tri ndeshje të fundit?

Sigurisht që jam i kënaqur, sepse gjërat po shkojnë mirë. Kjo është meritë e djemve që po impenjohen, edhe pse ende do impenjim më të madh. Lodhja bën edhe të vetën tani, ndeshjet kanë qenë shumë afër. Për këtë arsye duhet regjim i mirë. Nuk duhet të harrojmë edhe pasigurinë që kemi akoma, sepse kur sheh veten në tabelë është një pasiguri më vete, por shpresojmë që të vazhdojmë me këtë ecuri pozitive.

Vihet re se ekipi po vuan nga gabimet individuale, sidomos në pësimin e golave. Pse ndodh kjo?

Normalisht ka të bëjë edhe presioni punën e vet. Më pas janëedhe problemet e taktikës individuale apo teknike. Sa më shumë kualitet të kesh, më mirë është. Por kualiteti vjen edhe nga ngarkesa. Nga përvoja them që ritmi i stërvitjeve duhet të jetë shumë më i lartë, sepse vetëm kështu krijohet ritëm loje dhe siguri.

Mund të themi se lojtarët vijojnë të jenë të gjithë në provë apo tanimë e keni kristalizuar formacionin?

Pak a shumë dihet se cili është formacioni. Por gjatë gjithë kohës po çedojmë, sa i përket presionit apo cilësisë së lojës. Sigurisht, vendin do ta marrë ai që lufton më shumë.

A është ky maksimumi i Kukësit apo prisni më shumë, duke parë lojtarët që keni në dispozicion?

Asnjëherë nuk ka maksimum. Kur fillon kënaqësia, besoj se është problem edhe më i madh. Sa më i pasigurt të jesh në futboll, aq më shumë rezultate merr.

Këtë javë luani me Partizanin, si e prisni?

Sigurisht e vlerësojmë maksimalisht, por që nuk janë të pamposhtur. Gjithnjë hyjmë në fushë vetëm për të dalë me rezultat pozitiv dhe për këtë do të shkojmë edhe në këtë ndeshje.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"