“Kujdes talentet”, ish-mbrojtësi Çipi “shkund” Flamurtarin: Lebërit të bashkëpunojnë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 17, 2024 | 19:47

“Kujdes talentet”, ish-mbrojtësi Çipi “shkund” Flamurtarin: Lebërit të bashkëpunojnë

Kreshnik Çipi fut në “skanerin” Flamur tarin dhe jo vetëm. Legjenda e futbollit vlonjat, mendon se kuqezinjtë mund të bënin më shumë në pjesën e parë të sezonit. Beson ende te ngjitja, ndërsa si rivalë të fortë përmend vetëm dy ekipe: Bylisin dhe Elbasanin. Gjatë një interviste të dhënë enkas për “Panorama Sport”, ai shpreh shqetësimin që ka për talentet e qytetit të tij. Pret një bashkëpunim më të ngushtë mes Flamurtarit, Orikut dhe Labërisë, që të mos përsëritet rasti “Rrapaj”. Apelon edhe për ligjin e sportit, ndërsa cilëson futbollin si një gropë të zezë.

Kreshnip cipi

Si e vlerëson Çipi ecurinë e deritanishme të Flamurtarit?

Ecuria mund të ishte edhe më e mirë. Patjetër që impenjimi është. Po ashtu, struktura për mua është e mjaftueshme. Mendoj se në pjesën e mbetur do të bëjnë mirë.

Cilët janë rivalët e Flamurtarit?

Kemi dy skuadra shumë të forta. Bylis është forcuar shumë. Edhe Elbasani është forcuar shumë gjithashtu. Këto janë dy ekipe shumë të forta. Patjetër që edhe të tjerat kanë kampionatin e tyre dhe objektivat e veta.

Sa i ka shanset Flamurtari të ngjitet në Superiore?

I kemi të gjitha mundësitë që të arrijmë objektivin. Pastaj, Flamurtari duhet të ngjitet në Superiore.

Çfarë nuk ka shkuar deri tani sipas jush?

Sinan Idrizi e ka mbështetur skuadrën, me aq sa kam unë dijeni. Madje edhe premio i ka dhënë, ndonëse nuk e kanë merituar. Tani duhet që të japin maksimumin e tyre në këtë pjesë të mbetur të kampionatit. Në fakt këtu ka një problem që unë dua ta prek dhe është me rëndësi.

Për çfarë e keni fjalën?

E para është problemi i ligjit. Duhet ta ndryshojë shteti, sepse sporti është gropë e zezë. Ai zotëria (i referohet Sinan Idrizit) ka hedhur lekët e dynjasë atje, lekët e familjes së tij dhe mund t’i çojë fare mirë në shtëpi. Ka hedhur lekë pa fund… Atëherë, nëse ti bën ligjin që ta ndihmosh atë zotërinë e t’i thuash një 30% shteti ta njeh të tatim-fitimit, bën gjënë e duhur. Është gjynah dhe ky është momenti për të ndërhyrë. Ai hedh lekë pa fund dhe nuk ka rezultat.

Në Vlorë janë gjithsej tri ekipe, dy prej të cilave në Kategorinë e Dytë. Çfarë do të thotë kjo për ju?

Nëse këto ekipe do të ekzistonin në kohën tonë, e sigurt që edhe ato ekipe do të ishin në nivele të larta. Për arsye se atëherë për fat të keq diheshin vendet dhe t’i mund të ishe shumë i talentuar mund të bëheshe më i mirë se unë, mirëpo ta them me fjalë popullore, ishte ngulur dikushi aty dhe ka pasur shumë. Në atë kohë, në çdo ekip të Shqipërisë ka pasur nga një vlonjat titullar. Është fat i madh që janë edhe këto dy skuadra. Po t’i vësh re, ato kanë shumë lojtarë që nuk kanë mundur në momentet e para, pasi varet edhe nga zhvillimi i lojtarit dhe kapacitet që ka gjithsecili. Është mirë që të kenë bashkëpunim me njëra-tjetrën, se në fund të fundit ky është produkt i këtij qyteti. Duhet të bëjmë më të mirën. Sot kemi Flamurtarin më të mirin, do t’i çojmë te Flamurtari.

Çfarë u këshillon klubeve?

Është pozitive që i kemi këta futbollistë te Flamurtari, por duhet marrëveshje, duhet bashkëpunim dhe bashkëpunim i fortë. Në aspektin e administrimit të skuadrës duhet kujdes. Pasi të kesh një produkt të mirë cilësor, duhet të kesh një material dhe lëndë të parë të mirë. Një lojtar që nuk gjen hapësirën te Flamurtari apo anasjelltas, duhet të shkojë te këto dy ekipet e tjera. Nuk duhet t’i largojmë jashtë Vlorës. Kemi dy portierë te Dinamo e Partizani, kemi Rrapajn që këtu nuk ka çarë dot. Por tani u ka ardhur momenti. Duke i pasur këtu i ke në vëzhgim.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"