“Kujdes nga zgjuarsia e Martinit”, Hysen Zmijani tregon provat e vërteta: Fytyra e Vllaznisë, në dy ndeshjet e radhës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 25, 2020 | 14:44

“Kujdes nga zgjuarsia e Martinit”, Hysen Zmijani tregon provat e vërteta: Fytyra e Vllaznisë, në dy ndeshjet e radhës

“Mjeshtri i madh” Hysen Zmijani mendon se provat e vërteta të Vllaznisë janë pikërisht ndeshja e sotme në Durrës dhe ajo e së dielës ndaj Kukësit. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport” para sfidës me Teutës, ish-mbrojtësi shkodran i Kombëtares bëri elozhe për punën e trajnerit Brdariç, duke nxjerr në pah edhe ndryshimet.

hysen zmijani

Zoti Zmijani, si e vlerësoni këtë nisje të kampionatit nga Vllaznia?

Natyrisht që është nisja më e mirë e mundshme. Një fillim që kishim kohë që nuk e shikonim. Për mua është një ecuri e paparashikuar, por mendoj se trajneri ka merita në këto arritje të deritanishme.

Ishte një tregues konkret fitorja me Tiranën për forcën e këtij ekipi?

Sigurisht që deri para kësaj ndeshjeje kemi folur të rezervuar për Vllazninë, por puna e ekipit dhe stafit është për t’u përgëzuar sa i përket vazhdimësisë së skuadrës.

Sot luan në Durrës ndaj një Teute që këtë sezon pretendon gjëra të mëdha. Çfarë parashikoni?

Kjo është ndeshja më e vështirë e Vllaznisë. Është një nga ato takime që ndan dy gjëra të rëndësishme: ndalesën ose vazhdimësinë e suksesit të Vllaznisë. Por, por duhet parë në fushë më mirë.

Teuta drejtohet nga një shkodran si Edi Martini…

Do ketë shumë diplomaci trajnerësh. Janë dy ide të ndryshme që duhen vlerësuar. Vllaznia duhet të ruhet nga zgjuarsia e Martinit.

Duke parë edhe skuadrat e tjera, deri ku mund të shkojë Vllaznia me këtë grup lojtarësh që ka aktualisht?

Së pari, më duhet të them se trajneri Brdariç është duke i treguar klubit Vllaznia, se është ai që po ndryshon mentalitetin joprofesional që kemi pasur në këto 6-7 vitet e fundit katastrofike që kemi përjetuar. Shpresoj që kjo situatë do na shërbejë dhe do të ndjekim disa anë profesionale që do t’i instalojnë në boshtin e klubit. Dy ndeshjet e radhës mendoj se japin fytyrën e vërtetë të Vllaznisë.

Zmijani

Cila mendoni se është pika më e fortë e kësaj skuadre?

Ndryshimi te Vllaznia është futja e disiplinës, mentalitetit fitues dhe profesionalizmit në skuadër. Duhet të punojmë me kërkesë llogarie dhe jo rrumpallë se “kush të jetë i kësaj partie ose i këtij deputeti”. Nuk mund ta bëjë çdo njeri që t’i teket këtë punë, sado i ndershëm të jetë. Ka shumë boshllëqe që kanë lënë këto vite të zymta te klubi Vllaznia. Shpresoj të ecim si e gjithë bota, të kopjojmë dhe jo të shpikim. Kjo vlen për disiplinën dhe profesionalizmin.

Për afrimet nga merkatoja, kush nga lojtarët ju ka pëlqyer më tepër?

Është pak herët të flasësh, por dy lojtarë më pëlqejnë. Është mbrojtësi i majtë (Isaevski) dhe mesfushori brazilian (Da Silva). Sigurisht pa nënvlerësuar të tjerët. Futbolli është lojë kolektive, por e bukura është se ka individë që bëjnë diferencën.

Fakti që tashmë bashkia ka gjetur një sponsor, mund të themi se janë zgjidhur disa gjëra që mungonin?

Është një afrim që është dashur me kohë, por kjo politika na i mori të gjitha dhe na shkëputi shumë unaza të zinxhirit, prandaj do disa vite për t’i futur në hallkat e veta. Gjithmonë jemi me shpresën që të shohim futbollin që dëshiron kjo Shkodër. Bukuri, cilësi, kërkesë llogarie, disiplinë dhe profesionalizëm. Kjo është e gjitha.

ADMIR URUÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"