“Kujdes me Orikun”, Nevil Dede gati për sfidën e radhës: Rivaliteti na bën mirë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 6, 2023 | 9:51

“Kujdes me Orikun”, Nevil Dede gati për sfidën e radhës: Rivaliteti na bën mirë

Pas eliminimit nga Kupa e Shqipërisë, Dinamo është përqendruar te kampionati dhe shkëputja. Blutë kryesojnë me 27 pikë, Flamurtari është afruar në 2 pikë, por ka një ndeshje më shumë, ndërkohë që rivaliteti është shtuar së fundi me afrimin edhe të Korabit e Skënderbeut. Këtë e pranon edhe Nevil Dede, para transfertës në Orikum. Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, ai thekson se kjo nuk është e dëmshme.

Dede

“Kemi pasur disa probleme mes kartonëve dhe gjendjes fizike të disa lojtarëve. Por janë të rikuperueshme dhe besoj se do t’i kemi kaluar deri në momentin e ndeshjes. Megjithatë, edhe sikur të ketë ndonjë mungesë, Dinamo ka një kontingjent të plotë për të përballuar çdo ndeshje. Afrimi i Korabit dhe Skënderbeut, përveç Flamurtarit? Mund të them se rivaliteti na bën mirë, i bën mirë garës. Kuptohet që për qëllimet tona si Dinamo, do të ishte mirë të mos kishim rivalë fare, por nuk mund të jetë kështu. Ne gjithsesi shohim punën tonë, mjafton të bëjmë detyrën në ndeshjet tona, duke i fituar ato, pak rëndësi ka çfarë bëjnë skuadrat tona rivale”, tha fillimisht trajneri i 18 herë kampionëve të vendit.

Teksa u ndal tek Oriku, ai qartësoi objektivin: “Ndeshjen me Orikun e kemi vlerësuar, kundërshtarin e respektojmë, sepse di të luajë mirë futboll. Ata do të luftojnë për maksimumin në fushën e tyre, sepse formula e kampionatit është e tillë, që i imponon të kërkojnë pikë për të mbijetuar. Atje është një fushë e re, besoj do të jetë edhe një ambient i bukur sportiv, ku Dinamo do të luajë vetëm për fitore”.

Në fund dha edhe një koment për merkaton e janarit.

“E kam thënë gjithmonë, e mira nuk ka fund. Mund të bënim ndoshta pak më mirë në merkato, por edhe kështu jemi mirë. Presim vetëm Gjonin që të jetë gati për lojë. Portieri Krosta u aktivizua në Kupë ndaj Kastriotit. Duhet të pranojmë se jemi në një proces, ku punohet edhe për rritjen e lojtarëve të rinj që ka Dinamo, por së pari kanë rëndësi rezultatet për arritjen e objektivit të ngjitjes në Superiore”, përfundoi Dede.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"