KTHIM NË KOHË/ “Një jetë me futbollin”, intervista me legjendën Bekenbauer në Tiranë pasi fitoi Kupën e Botës si trajner

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 14, 2024 | 20:58

KTHIM NË KOHË/ “Një jetë me futbollin”, intervista me legjendën Bekenbauer në Tiranë pasi fitoi Kupën e Botës si trajner

NGA BESNIK DIZDARI
Një intervistë historike
Sepse e tillë është. Unikale (e vetme) në historinë e shtypit sporti shqiptar. Kjo sepse është një intervistë kësisoj, që i merret, njërit prej futbollistëve më legjendarë të botës, siç ishte Franc Bekenbauer (1945-2024). Ishte e hera e parë që gazeta botonte një intervistë të tillë me autorë të saj gazetarë të Shqipërisë, për fat asokohe ende komuniste. E botuar madje në gati 2/3-tat e një faqeje të madhe siç botoheshin asokohe gazetat shqiptare. E kur këto ditë për çudi shpërthyen në median shqiptare mbresa, respekte, keqardhje për ndarjen nga jeta të Bekenbauerit, kjo intervistë në të posaçmen e gjerë të saj, mund të cilësohet thuajse sensacionale për gazetarinë shqiptare. Ishim më 1990, kur për intervista të tillë ende duhej të merrje leje atje lart. Por tashmë regjimi qe tronditur. Dhe botimi i saj në plot 73.530 kopje të “Sportit popullor,” prej të cilave 62.125 kopje abonime, ishte vërtet sensacional.

bekembauer tirane

Nuk po e zgjasim, por siç tregohet përmes intervistës, Franc Bekenbauer përmbledh me mendimet e tij aq të mençura e kompetente vetë përvojën e jetës së tij, natyrisht të koncepteve të jetës së tij si futbollist, si trajner, si njeri. Dhe po ta lexosh me vëmendje ai vetvetiu shpalos gjithë strategjinë e futbollit modern.

Janë mendime të 34 vjetëve më parë. Dhe për çudi del qartë se futbolli në këtë strategji të tij është po ai, ndonëse sot miliardat sa e kanë fuqizuar po aq e kanë “prekur” pa mëshirë qëllimin e tij fisnik. E një prej fisnikëve të tij ishte edhe Franc Bekenbauer.

Për të gjitha këto kjo intervistë e tij, sidomos për Shqipërinë dhe shtypin saj, mbetet pra, sensacionale. Në fund të fundit ajo mishëron edhe vetë personalitetin e madh të Franc Bekenbauerit, i cili e pati sadopak një lidhje edhe me Shqipërinë dhe futbollin e saj… B.D.

Vite dhe kampionë: Protagonistë të futbollit botëror në rubrikën tonë
Një jetë me futbollin
Me trajnerin e kampiones së botës, Franc Bekenbauer

Me Franc Bekenbauerin, trajnerin e tanishëm të “Olimpikut” të Marsejës, u takuam në fillim në mbrëmjen e së martës në një nga hollet e hotel “Tiranës”. Bekenbaueri, tashmë trajner i kampiones së botës, ashtu siç e kemi parë nëpërmjet ekranit të televizorit, simpatik, i veshur thjeshtë, plot mirësjellje, u tregua shumë i gatshëm për t’i dhënë intervistë “Sportit popullor”.

– Teksa stërviteshit në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”, ju pamë duke luajtur së bashku me futbollistët dhe na ngjallët kujtime, tek ju shihnim në fushë elegancë e teknik në veprimet me topin.
– Futbolli është pasioni im kryesor dhe ai më ka dhuruar pasurinë më të madhe të tij: më mban përherë të ri, dinamik e të shëndetshëm.

– Ju jeni nga ata njerëz të pakët, për të mos thënë i vetmi, që i keni arritur të gjitha sukseset që mund të ëndërrojë një njeri që merret me futbollin, kampion i botës dhe i Europës si lojtar, nënkampion dhe kampion i botës si trajner, aq sa vetëm Zagallo mund t’ju afrohet. E megjithatë, jeta juaj sportive vazhdon…
– Unë e kam lidhur jetën time me futbollin. E pra, si mund të ndahesh prej tij? Menjëherë pas kampionatit botëror në Itali pata dëshirë ta lë ekipin kombëtar dhe të bëhem trajner me një klub. Pse? Duke që në trajner klubi jam në aktivitet të përditshëm, ndërsa si trajner i ekipit kombëtar mblidhesh vetëm 10-12 herë në vit, se afërsisht kaq i ka ai takimet ndërkombëtare. Kështu nuk ke si të jesh aktiv. Mundësia e dytë që më paraqitej pas botërorit ishte të hiqja dorë fare nga futbolli dhe të merresha me tregti. Unë prapë e gjeta arsyen te futbolli dhe dëshira ime që të vazhdoja punën si trajner, triumfoi.

– Një mbresë nga Kampionati Botëror?
– Italia ’90 për mua ishte kampionati i pestë botëror, tri herë kam qenë pjesëmarrës në to si lojtar dhe dy herë si trajner. Në këtë hark kohor përshtypjet më të mira i ruaj për kampionatin e Italisë, ku i gjithë publiku në këtë vend e dashuron dhe jeton si pakkush me futbollin. Kjo më ka bërë mjaft përshtypje. Dhe nga ana organizative botërori “Italia ‘90″, ishte i përsosur. Ky për ne ishte një kampionat mjaft i mirë, pasi s’patëm probleme as brenda ekipit, as me gazetarët.

– Po për nivelin e këtij kampionati, ç’mendim keni?
– Kishte ndryshime nga ndeshja në ndeshje. Kishte ndeshje që patën nivel të ulët e këto ishin të pasdites, të cilat luheshin në temperatura deri në 40 gradë C. Ndërsa ato që u luajtën në mbrëmje ishin më tërheqëse, më spektakolare.

– Nga skuadrat finaliste, kë admiruat më tepër?
– Italinë. Më erdhi keq që u eliminua nga Argjentina. Dhe pas saj Brazilin, që u eliminua po nga Argjentina. Pa harruar Kamerunin që ishte zbulim i këtij botërori si dhe Anglinë.

– Po RFGJ-në, nuk e admiruat?
– Jam i kënaqur nga të gjithë lojtarët. Ata i realizuan 100 përqind detyrat e dhëna.

– Dhe lojtari që iu la më shumë mbresa?
– Bukvaldi, mbi të gjithë Bukvaldi. Ai ishte vërtet një zbulim për mua.

– Po Mateus?
– Shumë mirë, shumë mirë!

– Brehme, Klinsman, Fëler?
– Pa dyshim shumë të mirë. Ata njihen si të tillë dhe prej tyre pritej përherë shumë. Dhe ata e dhanë.

– Në cilin çast besuat se do të bëheshit kampionë?
– Ne ishim përgatitur shumë për këtë botëror. Lojtarët ishin të ndërgjegjshëm dhe punuan mirë. Kur mbarova fazën përgatitore e pashë që ekipi ishte në kondicion të mirë. Pas ndeshjes me Jugosllavinë u bindëm për forcën tonë dhe menduam se mund të ishim në katërshen e skuadrave finaliste. Kur u arrit kjo, atëherë nga ndeshja në ndeshje besimi ynë u rrit vetvetiu dhe pas fitores me Holandën, u bindëm përfundimisht se mund të ishim edhe kampionë të botës.

sadsasdadsdsasdsdasdasdasda (1)

– Sot në futbollin botëror flitet mjaft për yje si Maradona, Gulit, Van Basten etj. Historia e futbollit botëror na evokon emra të paharrueshëm si Pele, Bekenbauer, Krujf, Mur, Çarlton, Garinça etj. Na duket se këta të fundit do të mbeten simbole, thuajse të paarritshëm. Ku qëndron ndryshimi midis këtyre dy brezave?
– Si t’ju them… Pa dashur të ofendoj lojtarët e sotëm, kam mendimin se më përpara çdo shtet, çdo skuadër, ka pasur nga 3-4 yje, ndërsa sot ata janë të pakët dhe “propaganda” sportive “i fryn” më shumë se sa duhet.

– Edhe në ekipin e RFGJ-së sikur nuk shohim lojtarë të kësaj madhësie
– Edhe unë nuk di se si ta shpjegoj këtë dukuri. Por kjo s’ngjet vetëm me RFGJ-në. Këtë dukuri e hasim edhe te skuadra të tjera.

– Mos ndoshta ana komerciale ndikon këtu?
– Jo, jo, kjo s’qëndron. Të gjithë kërkojnë të rrëmbejnë sa më shumë e më shpejt kulme cilësore nga futbollistët. Ja, të marrim Andi Mëlerin e Eintrahtit të Frankfurtit. Gazetat qysh tani shkruajnë për të dhe e përcaktojnë si një personalitet, ndonëse ai s’është veçse 23 vjeç dhe përveç të tjerave s’është i tillë. Nuk ka durim. Ata duhet të presin edhe 2-3 vjet që ai të bëhet me të vërtetë i tillë. Të gjitha këto ndikojnë keq te përgatitja e futbollistit.

– Që do të ndikojë në ecurinë e së ardhmes së futbollit…
– Për mua niveli i futbollit ka arritur gati-gati të njëjtën kuotë për shumë shtete. Më parë ka pasur ndryshime të dukshme në skuadrat, gjë që reflektohej edhe në lojërat e tyre. Sot gjithçka është e barabartë, por dua të shtoj se futbolli gjithmonë do “të jetojë” pasi është sporti më popullor dhe që e duan të gjithë.

– A mendoni se sot trajnerët duke i dhënë përparësi përgatitjes fizike, po i heqin futbollit artin, spektaklin?
– Është e vërtetë. Është e vërtetë pra që sot i kushtohet më shumë vëmendje përgatitjes fizike se sa lojës me top dhe anës teknike. Këtë e detyrojnë vetë kushtet, se futbolli sot më shumë se kurrë kërkon forcë. Ndryshe nuk mund të fitosh dhe po s’fitove, kuptohet je i dështuar.

– Si e parashikoni nivelin e ardhshëm të futbollit gjerman?
– Gjithnjë të mirë. Edhe bashkimi i Gjermanisë do të ndikojë pozitivisht. Edhe në lindje kemi mjaft futbollistë të mirë për ekipet tona kombëtare.

– Në shtypin botëror sportiv po shkruhet shumë sikur ju keni nënshkruar një kontratë me Federatën e Futbollit të SHBA-së.
– Federata Amerikane e Futbollit më ka kërkuar, por unë kam refuzuar. Amerika ka mjaft sporte të zhvilluara, po jo futbollin. Kur kam luajtur unë me “Kosmosin” kishte një kampionat, ndërsa tani në këtë vend nuk ka as kampionat kombëtar. Dhe pa garë futbolli është i destinuar të vdesë. Do të jetë një sukses i madh sikur SHBA të kalojë ndeshjet në grup. Por unë mendoj se ajo do të dështojë. 4 vjet kohë për përgatitur një ekip që të konkurrojë në finalet e një botërori në këto kushte, mendoj se është fare pak.

– Tani nja dy pyetje intime. Një nga fëmijët tuaj, i treti, Stefani, dimë që luan futboll. Çfarë ka trashëguar ai nga i ati?
– Djalit unë nuk i kam imponuar asgjë. Ai ka talent për të luajtur. Dhe pse ai është veçse 21 vjeç, është i aftë që të luajë në një klub profesionistësh siç po luan në ligën tonë të dytë. Vetëm se për të kudo që shkon ka vështirësi, pasi atë përherë e krahasojnë me mua dhe duan që patjetër t’i ngjajë babait.

– Dhe e dyta. Kemi lexuar se ju ka dalë një problem në Francë, nga që nuk keni licencën e trajnerit.
– Nuk kam licencën e trajnerit francez, se atë të trajnerit gjerman tashmë e kam nga federata e vendit tim.

– Çfarë vëren një trajner i kampiones së botës, pra një përfaqësues tipik i futbollit të shquar gjerman, kur punon në futbollin francez që njihet si teknik dhe inteligjent?
– Ka një ndryshim esencial, më duket. Futbolli gjerman njeh 90 minuta lojë të pandërprerë, në sulm e në mbrojtje, njëlloj. Pra edhe kur e zotëron topin ti edhe kur e zotëron kundërshtari, lojtari i Gjermanisë është tepër përgjegjshëm për lojën dhe punon njëlloj. E kundërta ngjet me francezët: kur e zotërojnë ata topin, luajnë bukur ashtu siç thoni ju, me teknikë e inteligjencë. Por, ku topin e ka kundërshtari, ata luajnë shumë pak dhe janë larg detyrave, sidomos atyre mbrojtëse. Kështu që them se futbolli gjerman është më i fortë, më dinamik, më i disiplinuar.

– Është hera e tretë që vini në Shqipëri dhe me sa dimë, jeni i vetmi njeri i futbollit që keni ardhur me të tri atributet, si futbollist më 1971, si gazetar më 1983 dhe si trajner më 1990. Ju kemi intervistuar edhe para 19 vjetëve, nëse ju kujtohet në hotel “Dajti” dhe….
– Aha, po kemi qenë shumë të rinj atëherë…

– Na keni shpëtuar pa u intervistuar në Sarbryken më 1983…
– Po, po, ju mbaj mend dhe ishte një ndeshje e jashtëzakonshme.

– Mjaft e mirë për Kombëtaren e Shqipërisë, apo jo?
– Patjetër. Ishin vetëm 9 minuta lojë dhe ju edhe pse ishit me 10 vetë, RFGJ-ja po eliminohej nga kampionati i Europës. Ishte e tmerrshme.

– Atëherë, për tri udhëtimet tuaja të roleve të ndryshme?
– 1971-shi pa dyshim veçohet. Kam ardhur si futbollist dhe kam përfaqësuar RFGJ-në dhe kuptohet përgjegjësia e madhe. Jo se tani si trajner i “Olimpikut” nuk ndjej përgjegjësi. Trajneri gjithnjë mbetet trajner, por të përfaqësosh futbollin e një kombi është tepër, shumë më tepër, shumë më me rëndësi.

– Po herën e katërt, si do të vini në Shqipëri? 
– Patjetër që do të vij. Por këtë herë si turist.

– Për të përfunduar, diçka për Dinamon?
– Në Marsejë, veçanërisht pjesën e parë luajti shumë mirë. Golat tanë qenë të rastësishëm. Rezultati 3-1 do të ishte më i drejtë. Sidoqoftë, duke u nisur nga kjo ndeshje, nuk e besoja që do të luante më mirë në Tiranë. Mendoja që në pjesën e dytë do të binte. Po ja që s’ndodhi kështu, dhe kjo më befasoj. Dinamo luajti shumë mirë, shumë e disiplinuar dhe e organizuar. Nuk mund t’i gjej gabime. Largohem nga Shqipëria me mendimin se këtu është shumë e vështirë për të fituar. Përvoja këtë mendim më ka formuar për Shqipërinë.

– Kjo thënie mos i referohet edhe Platinisë?
– Patjetër. Ndeshjen e 17 nëntorit të Francës në Shqipëri që tani e parashikoj mjaft të vështirë për Francën dhe Platininë.

– E fundit. Çfarë do t’i sugjeronit kolegëve tuaj shqiptarë?
– T’i përgatisin skuadrat e tyre për të luajtur kështu siç luajti sot Dinamoja.

BESNIK DIZDARI
BASHKIM TUFA
Gazeta “Sporti popullor”, 5 tetor 1990

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"