“Kryeqyteti na sjell fat”, Peposhi: Tani nis malorja për Bylisin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 22, 2020 | 11:03

“Kryeqyteti na sjell fat”, Peposhi: Tani nis malorja për Bylisin

Ardit Peposhi, i cili e mbylli si kapiten pjesën e parë të këtij sezoni, pa dyshim që mbetet një nga pikat më të forta të Bylisit. Peposhi ka një të veçantë, pasi e ka nisur karrierën në Superiore, pikërisht me Tiranën, kur bardheblutë e morën që në moshën 18-vjeçare nga Partizani dhe e aktivizuan në elitë. 

pEPOSHI BYLIS

Në prag të sfidës me bardheblutë, e cila luhet sot në “Selman Stërmasi” në orën 17:00, Peposhi ka folur për ish-skuadrën e tij. “Tani mendoj se nis më e vështira, për Bylisin dhe çdo skuadër tjetër. Luajmë një ndeshje radhe me Tiranën dhe normalisht që e vlerësojmë kundërshtarin. Personalisht kam respekt për Tiranën, aty unë luajta për herë të parë në elitë. Ne duam që ta vazhdojmë aty ku e lamë. Normalisht vështirësitë e takimit janë të mëdha, por jemi përgatitur për këtë sfidë. Tirana është ekip që do titullin”, shprehet Peposhi.

bylis

AFRIMET – Peposhi, si një lojtar me eksperiencë, flet për afrimet, por më shumë bën elozhe në ruajtjen e grupit. “Merkatoja më e mirë për ne është ruajtja e grupit. Kjo është parësore për çdo ekip. Bylisi ka arritur të jetë këtu me meritë dhe presidenti Kapllanaj ka mundësuar çdo gjë për lojtarët. Është bërë edhe merkato, duke rritur konkurrencën, por edhe cilësinë në skuadrën tonë, duke na bërë më të fortë në pjesën e dytë të garës. Nuk më takon mua të flas, por nisur nga eksperienca, kemi pasur nevojë për afrime me lojtarë që bëjnë diferencën. Deri tani mendoj se jemi në rrugë të mbarë, pasi në miqësore, lojtarët e afruar kanë treguar se na bëjnë goxha punë”, vazhdoi Peposhi.

Bylis

SYNIMET – Sipas Ardit Peposhit, Bylisi edhe në këtë pjesë të dytë do të jetë një skuadër dinjitoze. Madje, edhe më e fortë, jo vetëm në sajë të merkatos, por duke qenë se tashmë edhe lojtarët janë harmonizuar akoma më mirë me njëri-tjetrin. “Unë kam besim se të gjithë do të shohin një Bylis edhe më të fortë. Grupi është bërë më solid, por edhe do të forcohet akoma më shumë në sajë të merkatos. Ne do të kërkojmë që t’i ruajmë pozitat në kampionat, ashtu si edhe në Kupën e Shqipërisë”, tha Ardit Peposhi në mbyllje të fjalës së tij.

Erjon Saliu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"