“Kryeqyteti ka tre skuadra që janë me shumë tituj në kurriz”, Shehi: Tirana kreu një merkato të mirë, VAR-i të ndihmon, por…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 10, 2021 | 11:59

“Kryeqyteti ka tre skuadra që janë me shumë tituj në kurriz”, Shehi: Tirana kreu një merkato të mirë, VAR-i të ndihmon, por…

Në vigjilje të sfidës së javës së parë të Kategorisë Superiore ndaj Skënderbeut ditën e nesërme, në orën 13:45 në stadiumin “Selman Stërmasi”, përpara mediave është shfaqur trajneri i Tiranës, Orges Shehi i cili ka analizuar këtë takim:

Orges Shehi

Faza përgatitore – “Nuk është njësoj ta marrësh skuadrën në fillim të kampionatit dhe në mes të kampionatit. Kemi pasur kohë të mjaftueshme, kemi zhvilluar shumë fazë përgatitore, jemi munduar të jemi gati për nesër.”

Merkato dhe gjendja e skuadrës – “Kemi bërë një merkato të mirë, kemi lojtarë me shumë ambicie dhe të rinj në skuadër për të arritur objektivat tanë. Gjendja është e mirë, Bekaj është mirë doli negativ në testet e COVID-19. Skuadra është e plotë, dhe përballemi nesër me Skënderbeun që meriton respekt.”

Rivaliteti dhe kampionati – “Të gjitha skuadrat janë të forta, duhet të bëjmë maksimumin. Janë bashkuar skuadra si Dinamo që dihet historia e tyre, por edhe këtë vit është e fortë, edhe Egnatia gjithashtu. Do të jetë një kampionat me shumë rivalitet.”

Tirana – “Ne jemi tek klubi më i titulluar në vend, objektivi është i qartë minimumi është Europa. Është riformatuar skuadra, kanë ikur shumë lojtarë cilësor që do të bënin mirë me çdo skuadër, por kemi marrë lojtarë që kanë shumë cilësi dhe koha do ta vërtetojë nëse do të jenë njësoj si ata që u larguan.”

Presioni – “Presioni është prezent kudo, dhe në një skuadër që pretendimet janë madhore, lojtarët nuk duhet të jenë në presion. Ne derisa jemi në një ekip që është pretendente normalisht që është prezent kudo presioni.”

VAR-i – “Normalisht që VAR-i është një teknologji që të ndihmon, por nuk zhduk asgjë. Ka dhe disa gjëra që VAR-i nuk i ndan. Për ne është një risi, sepse do të ketë ndalesa në lojë që do të duhet të mësohemi, do të ketë raste që do të gëzohemi dhe hidhërohemi sigurisht sepse mund të na heqi një gol. Fillimi është pak i vështirë sepse do të duhemi të mësohemi.”

Derbet e kryeqytetit – “Kryeqyteti ka tre skuadra që ka shumë tituj në kurriz. Kryeqyteti është baza dhe do të ketë shumë derbi, të treja janë me petkun e pretendentit. Do të shihet se kë do të shigjetojnë trajnerët e tjerë, por unë do të shigjetoj skuadrën që do të luaj ndeshjen e radhës.”

Tifozeria – “Dihet që çfarë peshe ka tifozeria në skuadrën tonë, është një plus i madh për ne. Shpresojmë që të bëjmë sa më mirë dhe maksimumin edhe për ta që ti kënaqim, me lojën me pretendentin edhe me një Tiranë që të jetë gjithmonë në majë.”, përfundoi trajneri i bardhebluve, Orges Shehi.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"