Kryebashkiakja: Vllazninë shikojeni me këndvështrim pozitiv, po punojmë për privatizimin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 17, 2017 | 10:52

Kryebashkiakja: Vllazninë shikojeni me këndvështrim pozitiv, po punojmë për privatizimin

Kryetarja e Bashkisë Shkodër, Voltana Ademi, e ka ndjekur nga afër miqësoren e djeshme të Vllaznisë ndaj Tërbunit. Në përfundim të takimit, ajo është shprehur optimiste për ecurinë dhe vazhdimësinë e skuadrës shkodrane. Ademi ka sqaruar situatën aktuale te Vllaznia, sa i përket merkatos, përgatitjeve verore, merkatos, si dhe ka konfirmuar zhvillimin e fazës përgatitore në Mal të Zi.

Voltana Ademi, Vllaznia

Në fund, kryebashkiakja e Shkodrës ka treguar edhe rrugën që po ndiqet për privatizimin e Klubit të Futbollit Vllaznia. Prania e Ademit në miqësoren e djeshme është parë si vlerësim për skuadrën.

“Vllaznia ka vëmendjen e të gjithëve. Është një mbështetje që Vllaznisë ia japim në emër të qytetit dhe gjithë dashamirësve. Mendoj se Vllaznia ka nevojë, sigurisht, edhe për imazhin publik dhe mbështetjen publike e kërkojmë nga të gjitha mediat në këtë rast, sidomos të Shkodrës, për këndvështrimin pozitiv që duhet të ketë skuadra.

Vllaznia ka një fytyrë tjetër, është më e lidhur, po funksionon më shumë në grup dhe futet në fazë përgatitore më mirë se një vit më parë. Përsëri jemi në kërkim për lojtarë të tjerë, kemi bërë disa hapa përpara. Vazhdojmë të kërkojmë, besojmë se kemi bërë hapa pozitivë me çfarë kemi bërë deri tani. Të paktën, kjo konfirmohet nga stafi teknik, me të cilin kemi kontakte të vazhdueshme”, u shpreh fillimisht kryebashkiakja e Shkodrës.

FAZA PËRGATITORE

“Janë bërë përgatitjet e duhura dhe të hënën ekipi do të niset drejt Malit të Zi. Ekipi do të ketë një fazë të plotë përgatitore. Sigurisht, i paraprijmë kampionatit që fillon në dhjetëditëshin e parë të shtatorit, prandaj jemi në kohën e duhur, në mënyrë që të kapim kampionatin, ashtu sikurse kërkohet dhe në formën e duhur teknikisht të paktën në bazë të trajnerëve dhe stafit teknik”.

PROBLEMI ME FINANCAT

“Aktualisht presim konfirmimin e prefektit të qarkut Shkodër dhe të ecim normalisht si gjithmonë me shlyerjen e pagesave. Vendimi për kalimin e fondeve për llogari të klubit Vllaznia është miratuar në Këshillin Bashkiak, ndaj brenda 10 ditëve prefekti duhet të shprehet. Deri më tani jemi në procedurë dhe sigurisht vazhdon puna si gjithmonë, nuk ka ndonjë gjë të veçantë. Kalimi i parave bëhet përmes bankave”, vijoji më tej Voltana Ademi sigurisht.

PRIVATIZIMI

Sa u përket proceduarave të privatizimit të klubit të futbollit, kryetarja e Bashkisë Shkodër u shpreh: “Aktualisht kemi marrë një konsulencë të huaj. Në Shqipëri nuk ka, në asnjë rast nuk ka ndodhur një vlerësim i një shoqërie të tillë. Që do të thotë, në të gjitha kontaktet që ne kemi pasur, formale dhe informale me sipërmarrje vlerësuese, ato kanë kërkuar një asistence ndërkombëtare për të bërë të mundur vlerësimin. Kjo, për të hartuar temat e referencës dhe pastaj për të shkuar drejt ankandit”.

ADMIR URUÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"