Kryebashkiakja e Lushnjes zbardh planin për privatizimin e klubit: Do të shesim 49% të aksioneve…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 20, 2022 | 11:51

Kryebashkiakja e Lushnjes zbardh planin për privatizimin e klubit: Do të shesim 49% të aksioneve…

Eriselda Sefa e quan të shpëtuar sezonin. Kryebashkiakja mendon se skuadra është në rrugën e duhur dhe një qetësi vjen nga 21 pikët e grumbulluara në fazën e dytë. Gjatë një deklarate të dhënë enkas për “Panorama Sport”, e para e qytetit dhe njëherësh presidentja e Lushnjës flet për infrastrukturën, të ardhmen dhe mbi të gjitha privatizimin.

lushnja

“Faza e dytë ka ecur mirë dhe pikët e marra janë dëshmia më e mirë. Ekipit i është dhënë gjithë mbështetja që ka pasur nevojë dhe paralelisht kemi ndërhyrë te terrenet sportive.

Pas dore nuk kemi lënë as akademinë, së cilës i kemi dhënë suportin maksimal. Qëllimi kryesor pas terreneve sportive dhe mbështetjes së ekipit, është që të fillojmë të ringremë ‘fidanishten’. Talentet të dalin vetë nga akademia e Lushnjës, ashtu siç ka qenë edhe më parë…”, tha fillimisht Sefa.

PRIVATIZIMI

Kryetarja konfirmon se shumë shpejt do të nisë procesin e privatizimit dhe nuk mungojnë as të interesuarit për t’u afruar te Lushnja e futbollit. “Klubi i futbollit vijon të jetë 100% në varësi të Bashkisë së Lushnjës.

Jemi duke hulumtuar për të gjithë procesin e privatizimit, por edhe për të gjithë donatorët që janë të interesuar për Lushnjën.

Blerja e aksioneve? Këto janë të përcaktuara në ligj. Aktualisht në statutin e KF Lushnja thuhet qartë se 51% të kuotave i mbeten Bashkisë së Lushnjës, ndërsa 49% mund të kalojnë te privati”, deklaroi presidentja e klubit, pa dhënë detaje për emrat e të interesuarve.

Ajo sqaron edhe të ardhmen, ndërsa qartazi pritet që investimet të jenë më madhore dhe objektivat po ashtu:

“Për kampionatin tjetër do të kemi disa objektiva të përcaktuar më qartë. Si për ekipin e parë, ashtu edhe për ekipet zinxhir duke qenë se shumë shpejt do të vendosen në funksion terrenet sportive aq të munguara dhe që ishin një pjesë e kërkesave madhore dhe të vetë trajnerëve. Si të ekipit të parë edhe të moshave.

Duhet të ngrinim terrenet sportive, që t’u jepnim mundësi për një performancë më të mirë”.

TIFOZËT

Ajo vetë nuk mungon në asnjë ndeshje në “Roza Haxhiu” dhe vëren se pjesëmarrja është shtuar ndjeshëm, e megjithatë pret që në vazhdim stadiumi të mbushet edhe më shumë.

“Unë vetë shkoj në çdo ndeshje në stadium. Dihet tashmë që jam tifoze dhe rrjedhimisht mbështetja kryesore e Lushnjës. Shoh që ka një ndryshim në pjesëmarrje.

Shpresoj shumë që shkallët e stadiumit të mbushen si dikur, ashtu si në kohën e Traktorit. Lushnja e do futbollin dhe do të ishte mirë që këtë ta reflektojë duke e tejmbushur ‘Roza Haxhiun’.

Do t’u bëja një ftesë të gjithë sportdashësve që ta ndjekin ekipin më nga afër dhe të mos mungojnë në asnjë ndeshje. Sa më të shumtë të jenë ata në shkallë, aq më shumë u japin zemër lojtarëve”, përfundoi Eriselda Sefa.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"