Korabi u bën “presion” kryesuesve me një kuksian

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 8, 2017 | 15:26

Korabi u bën “presion” kryesuesve me një kuksian

Korabi i Gerd Haxhiut është gati për të bërë surprizën e radhës, këtë herë në stadiumin e Kukësit, aty ku në fazën e dytë mori pikë si pritës ndaj kryesuesve. Ai barazim 1-1 shkaktoi polemika dhe marrëveshja për stadiumin u prish. Pas pikës ndaj Tiranës, dibranët janë të etur për të marrë një tjetër rezultat pozitiv.

Denis Peposhi

Edhe pse shpresat për mbijetesë kanë humbur, klubi dhe trajneri kanë garantuar se do të luajnë ndershëm deri në fund, në një kohë që lojtarët duan të tregojnë cilësitë e tyre, pasi kjo është mënyra e vetme që ata të mbeten në treg. Një prej lojtarëve që debutoi këtë sezon në Superiore me Korabin është sulmuesi Denis Peposhi.

22-vjeçari është nga Kukësi dhe sezonin e kaluar ishte pjesë e skuadrës verilindore, por pa mundur të luajë qoftë edhe një ndeshje në kampionat. Tashmë sulmuesi do të kërkojë të shënojë në stadiumin “Zeqir Ymeri”. Në bisedën për “Panorama Sport”, fillimisht Peposhi foli për barazimin me Tiranën, e më pas komentoi sfidën në Kukës.

“Jemi të gëzuar nga pika që morëm dhe tani që fati po na kthehet, shpresojmë te një mrekulli që mund të mbajë skuadrën tonë në Superiore. Gjithsesi, ne do të vazhdojmë rrugën tonë të rezultateve pozitive dhe shpresojmë që edhe këtë javë të mos dalim pa pikë nga dueli me Kukësin. Skuadra po përgatitet normalisht për këtë sfidë dhe të gjithë së bashku do të bëjmë më të mirën e mundshme.

E dimë që ndeshja me Kukësin do të jetë mjaft e vështirë, por jemi të motivuar për të dhënë maksimumin në fushë, sepse ne besojmë te vetja. Ajo që është më e rëndësishme, do të luajmë ndershëm deri në fund të kampionatit. Dëshiroj që golin në këtë ndeshje ta shënoj unë, sepse e njoh mirë Kukësin”, ka thënë sulmuesi i Korabit, që ka fituar besimin e trajnerit Haxhiu dhe po luan si titullar me dibranët.

Abdulla Dushku

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"