Konte e ringjall Italinë, mund Holandën në 10′

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 5, 2014 | 8:58

Konte e ringjall Italinë, mund Holandën në 10′

italy-football-dataKjo Italia mund të thotë shpejt fjalën e saj. Brenda katër ditëve Antonio Konte diti të ngrejë në këmbë një skuadër, brenda 10 minutave shpejtoi rikthimin e Holandës në shtëpi, duke i shënuar 2 gola dhe po flasim për skuadrën e tretë të Botërorit 2014. Pastaj, nëse “axurrët” do të kishin gjithmonë një Martins Indi në mbrojtjen e çdo kundërshtari të radhës, do të ishte akoma më mirë për “krijesën” e re të Kontes. Italia fiton 2-0, shemb kujtimin e hidhur të Mangariçibas dhe rigjen një skuadër, e cila vetëm mund të përmirësohet. Edhe pse gjithçka ishte shumë e bukur dhe shumë e shpejtë për t’u dukur e vërtetë, dje në Bari Italia e Antonio Kontes duhet festuar, sepse me një “gjeneral” si ai në krye të saj, ëndrrat nuk janë të pamundura dhe te Juventusi e dinë mirë këtë. Por, nga ana tjetër, edhe Holanda e Gus Hidinkut e ndihmoi debutimin e “axurrëve” për këtë sezon, ndonëse për një ekip të kolauduar si portokallinjtë disfata mund të justifikohet.
Aromë skuadre – Të gjithë italianët kanë kryqëzuar gishtat dje, sepse pas 10 minutash ndeshja kishte përfunduar, kundërshtarët kishin mbetur me 10 futbollistë dhe në disavantazh 2-0. Sinjalet për “axurrët” janë me nota maksimale, sepse edhe pa Pirlon shihen pasime të gjata e të sakta për dy sulmuesit dhe mesfushorët e avancuar të hapur gjerë nëpër krahë. Skuadra është e ngjeshur mes reparteve dhe e rregullt, mbrojtja duket një bunker, i cili pëson gërvishtjen e parë me destinacion portën e Sirigusë, vetëm në fillimin e pjesës së dytë. Sulmi vrapon pa pushim dhe në çdo drejtim bën presing te kundërshtari dhe ofron rrezikshmëri; Imobile shënon pas vetëm tre minutash, ndërsa Zaza vrapon, fiton penalltinë dhe përjashton kundërshtari, sinjale të rrezikshme këto edhe për një kampion si Mario Baloteli, i cili duket i panevojshëm për këtë Itali. Por kjo Itali ofron edhe shpejtësi nga krahët, me Matia De Shiljon që duket sikur në vend të këmbëve ka dy motorë reaktivi… E gjithë kjo eufori mund të duket e tepërt, por mbase mund të jetë edhe shumë pak, duke menduar që Italia e djeshme nuk ishte produkti final, edhe pse ngjashmëria me Juventusin e sezonit të parë të Antonio Kontes në Torino ishte e frikshme…
10 minuta lojë – Italia jo vetëm luan, por edhe shënon, duke menduar që vinte nga dy ndeshje pa gola në Botërorin brazilian, edhe pse përballë kishin Kosta Rikën dhe një Uruguai jashtë forme. Kalojnë vetëm tri minuta dhe jo vetëm Konte thyen tabunë e debutuesit fitues, por nga ana tjetër Imobile gjen golin e parë me kombëtaren. Sulmuesi i Dortmundit merr një pasim të saktë prej më shumë se 50 metrash nga Bonuçi, stopim perfekt, zbritje në zonë e shoqëruar me driblimin e portierit dhe 50 mijë të pranishmit shpërthejnë. Euforia kapi maksimumin, a thua se ishte në lojë Kupa e Botës, sepse nuk kalojnë as 6 minuta të tjera dhe këtë herë është Zaza që djeg De Vrij e Indin në shpejtësi, me këtë të fundit që e shtrin në zonë, duke e ndëshkuar dyfish ekipin e tij. Karton i kuq dhe penallti. Nga pika e bardhë De Rosi nuk fal dhe Italia ka mundësinë që ta shndërrojë në një goleadë. Ajo shmanget vetëm pesë minuta më vonë, kur Imobile bën një sprint me topin ndër këmbë për 50 metra dhe pason në qendër të zonës për Zazan, por emocionet e debutimit i mohojnë golin e parë edhe sulmuesit të Sasuolos. Italia sulmon, Holanda mblidhet në shumë pak metra për të mos rrezikuar një figurë të keqe dhe me kalimin e minutave edhe vetë tempi bie, duke menduar për ndeshjen zyrtare dhe të rëndësishme kundër Norvegjisë, në Oslo më 9 shtator. Në pjesën e dytë, të kaltrit e nisin sërish bindshëm, por goli mungon, ndaj Antonio Konte i bën të gjashta zëvendësimet e paralajmëruara. Në fushë zbresin Xhovinko, e Destro, me këtë të fundit që mund të kishte shënuar në minutat e fundit të sfidës, por gjithsesi, edhe rezultati 2-0 i kënaq. Gus Hidink, nga ana e tij, nuk e nisi shumë mirë misionin e tij të dytë në krye të Holandës, por gjithsesi, mes shumë mungesave të rëndësishme, edhe “tulipanët” do të ngrihen shumë shpejt, sepse fundja ishte Italia ajo që duhej të tregonte diçka më shumë dje, jo skuadra e tretë më e fortë e botës…

Konte“Me këtë grintë mund të mahnitim këdo”
Antonio Konte kishte shpresuar në një debutim pozitiv, por fitorja e djeshme kundër Holandës i kishte kaluar edhe parashikimet e tija. “Pavarësisht rezultatit më interesonte përgjigja që do të jepnin lojtarët në fushë, e cila ishte shumë pozitive, qoftë mbi aspektin e impenjimit, qoftë nga cilësia e futbollit të ofruar dhe agresivitetit. Pas këtij takimi kuptoj që nuk kam gabuar me zgjedhjet e mia, sepse gjeta një grup të gatshëm për të bërë diçka të rëndësishme dhe i tillë ishte ky debutim i imi, ky cikël i ri që duam të nisim. Nëse në vetëm 6 stërvitje arritëm të bënim diçka kaq pozitive së bashku, imagjinoni sesa grintë mund të ushqejmë duke punuar më shumë… Çfarë më pëlqeu? De Rosi bëri ndeshjen perfekte, Bonuçi mund të zëvendësojë Pirlon me topat e tij të gjatë e të saktë, por mbi të gjitha sulmi ishte fantastik. Një bashkëpunim të tillë mes Imobiles dhe Zazas e prisja, por jo me të tilla nota maksimale. Gjatë këtyre ditëve kemi punuar shumë mbi këtë aspekt, edhe mbi dyshet e tjera si Xhovinko-Destro e Kualiarela-El Sharaui. Prandaj, në kombëtaren time të gjithë do kenë mundësinë të luajnë, të gjithë janë të barabartë dhe të gjithë së bashku mund të mahnitim këdo. Verrati me vonesë? Verrati do ketë luksin që të ketë si pikë referimi, por edhe si trajner personal një si Andrea Pirlo. Për mua Verrati nuk është një fantazist, por një lojtar me shumë vizion që mund të luajë mes qendrës së mesfushës dhe vijës anësore, për të kapur në befasi rivalët dhe shumë shpejt do punojmë mbi këto risi. Risitë e tjera që do sjell? Të presim se si do punojmë në pritje të Norvegjisë, por që sot e tutje familjet nuk do të jenë më pjesë e kombëtares. Fundja të gjithë ne mund të rezistojmë për 90 minuta larg të afërmve tanë…”, – përfundoi deklaratën e tij Konte.

Hiding“Prisja tjetër debutim pas 15 vitesh mungesë”
Trajneri i Holandës kishte një dekadë e gjysmë që ishte ndarë nga kombëtarja dhe rikthimin e tij e priste ndryshe, por kurrsesi jo si ai i djeshmi: “Të presësh 15 vite për një ndeshje që përfundon pas 10 minutash nuk është maksimumi, por i tillë është futbolli. Realisht, ky ishte skenari i fundit që mund të kisha parashikuar në kokën time, sepse përjashtimi me karton të kuq i Martins Indit pas 9 minutash lojë prishi çdo strategji, çdo mundësi për të marrë një sinjal, apo për të eksperimentuar diçka të qartë. Por askush nuk mund ta ndryshojë rrjedhën dhe rezultatin, ndonëse fakti se si rezistuam për 80 minuta me 10 lojtarë ishte pozitiv”.
Përgatiti: JETON STAMOLLA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"