Komunikimi me tifozët, Voltana Ademi zbardh mesazhin e Sukajt dhe do privatizim si Barcelona

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 3, 2018 | 19:46

Komunikimi me tifozët, Voltana Ademi zbardh mesazhin e Sukajt dhe do privatizim si Barcelona

Të enjten, kryebashkiakja e Shkodrës, njëkohësisht presidentja e Vllaznisë, Voltana Ademi, ka pasur një takim me skuadrën e drejtuar nga trajneri Ernest Gjoka. Gjatë komunikimit me stafin dhe futbollistët, ajo ka marrë edhe një mesazh nga sulmuesi Xhevahir Sukaj. Mesazh, të cilin kryebashkiakja Ademi e ka bërë publik dje në një komunikim online me qytetarët shkodranë, të cilët si gjithmonë janë të shqetësuar në lidhje me situatën ku ndodhet Vllaznia.

ademi

Aktualisht, shkodranët rrezikojnë shumë, pasi janë në vendin e parafundit në renditje. “Dje (të enjten) kam pasur një takim me skuadrën. Gjatë këtij takimi, Xhevahiri (Sukaj) po më thoshte:

“‘Kryetare, profesionalisht ne jemi të përgatitur dhe teknikisht jemi mirë. Duam që të jemi bashkë të gjithë në atë sfidën tonë që duam të arrijmë. Kemi ardhur këtu që të djersijmë dhe ta çojmë Vllazninë aty ku duhet, prandaj duam mbështetje dhe besim’. Në fakt, kjo është ajo që duhet t’i japim kësaj skuadre në këto momente, mbështetje, besim”- u shpreh dje kryebashkiakja Voltana Ademi në komunikimin online me sportdashësit dhe dashamirësit e Vllaznisë.

sukajvllaznia

Privatizimi – Në komunikimin e djeshëm me qytetarët, Ademi ka hedhur dritë edhe për privatizimin e klubit: “Jemi në procesin e privatizimit. Në këto momente po lidhet kontrata me vlerësuesin, me firmën që do të kontraktojmë në sajë të procesit të konkurrimit, që kemi bërë dhe do të vijojmë me firmosjen e kontratës për vlerësimin e Vllaznisë.

Pastaj do të jetë Këshilli Bashkiak që shpresoj, përtej diskutimeve që mund të kemi, t’i hapë rrugë një procesi që ne duam të realizojmë për futjen e investitorëve që mund të jenë edhe të shumtë në Shkodër. Ka shkodranë, madje edhe familjarë të thjeshtë që duan të investojnë te Vllaznia.

vllaznia pica

Më kujtohet shpesh Barcelona që ka një tifozëri të madhe që merr pjesë në administrimin e klubit. Kuptohet që ne jemi larg asaj dhe kjo mund të jetë e pamundur për ne. Por unë shpresoj që bizneset në Shkodër, ata që duan të investojnë, ata që e ndiejnë me zemër dhe kanë një dëshirë ta bëjnë këtë, të afrohen pranë skuadrës së tyre.

Nga ana tjetër, ka dy të huaj që kanë shprehur interesin e tyre. Ata kanë qenë para disa ditësh në Shkodër për ta vëzhguar situatën. Unë garantoj se procesi do të jetë i hapur, i menaxhuar teknikisht dhe profesionalisht. Kjo nuk do të ndodhë përpara prillit, por më në fund do të ndodhë pas shumë vitesh dhe unë jam optimiste për këtë”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"