Kukësi, gjyq për “spiunin” apo për të vërtetën?

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 7, 2017 | 15:10

Kukësi, gjyq për “spiunin” apo për të vërtetën?

JETMIR HALILAJ

Situata është e rëndë, por jo serioze”. Është një frazë e gazetarit të famshëm Enio Flaiano që këtë herë gjen vend edhe në Shqipëri. Një klub futbolli, klubi kampion, përpiqet me të gjitha mënyrat t’i mbyllë gojën gazetës sportive më të madhe në vend.Jetmir Halilaj Kjo është e rëndë.

Por, njëkohësisht, klubi i Kukësit kërkon që gazeta të nxjerrë burimin e lajmit. Kjo jo vetëm që nuk është serioze, por merr pothuajse përmasa komike. Dhe gjithë çështja rrotullohet vetëm në një pikë: të gjendet “spiuni”, apo “spiunët” e Kukësit që nxjerrin lajmet. Vetëm kaq…

Por për t’i thjeshtuar pak gjërat dhe për të qenë transparentë me publikun, po bëjmë një renditje të fakteve, për të kuptuar se ku qëndron halli i Kukësit, që në fakt nuk është hiç halli ynë. Kukësi komunikatën e djeshme e niste me fjalinë: “FK Kukësi hedh në gjyq gazetën e përditshme sportive ‘Panorama Sport’, duke i kërkuar të vërtetojë saktësinë ose burimin e informacionit të botuar në këtë gazetë”.

panorama-kukesi

Pra, Kukësi së pari është i shqetësuar për njerëzit që i nxjerrin informacione dhe, në pamundësi për ta zbuluar këtë, njofton se do të hedhë në gjyq gazetën. Qesharake! Imagjinojeni pak sikur Juventusi të kish hedhur në gjyq “Gazzetta Dello Sport”-in për lajmin mbi sherrin e Dibalës me Bonuçin dhe Alveshin në finalen e Champions-it!!! Juventusi e mohoi lajmin, edhe pse në fund i largoi të dy mbrojtësit, por nuk e hodhi në gjyq gazetën dhe t’i kërkonte burimin…

Gjici - Gjoka

Zyrtarët e Kukësit janë në një paradoks total me pretendimet e tyre. Të kërkosh burimin, do të thotë që informacioni ekziston. Për çfarë e kërkon Kukësi burimin, nëse pretendon se ngjarja e publikuar nuk ekziston?! Nëse gazeta ka shpifur (çka nuk ka ndodhur asnjëherë), atëherë Kukësi nuk ka pse të shkojë në gjyq për burimin e lajmit. Është e drejtë e Kukësit dhe e kujtdo që të veprojë si ta shohë të arsyeshme, por kurrsesi nuk mund të ushtrojë presion për të zbuluar burimin e informacionit të një media.

gjici kukesi

Gazeta i qëndron lajmit të publikuar pak ditë më parë dhe është e gatshme ta ndjekë deri në fund këtë çështje. Kukësi duhet të kuptojë se është detyrë e tij të ruajë informacionin, ndërsa detyra jonë si gazetarë është që ta publikojmë atë. Nëse Kukësi është i bindur se kemi gënjyer, atëherë le ta çojë çështjen në gjyq, por nëse zbulohet burimi i informacionit ose jo, këtë e vendos gjykata dhe jo një klub futbolli. Gazeta, për lajmin e publikuar, ka pasur informacion të besueshëm.

Safet Gjici

Informacion që, për hir të së vërtetës, ka dalë pa dyshim nga protagonistë që kanë qenë në mbledhje. Ky është edhe shqetësimi real i zyrtarëve të Kukësit, të cilët, në tentativa të njëpasnjëshme për të ushtruar presion dhe për të intimiduar median e lirë, kërkojnë që të zbulojnë se kush ua nxjerr “sekretet”. Janë të lirë t’i shkojnë deri në fund sepse as ne nuk do të ndalemi! Mjafton që të mos kalojnë në paranojë…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"