Klubi verior fiton garën me Skënderbeun, Kukësi firmos dhe me sulmuesin Ivan Periç

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 20, 2014 | 9:00

Klubi verior fiton garën me Skënderbeun, Kukësi firmos dhe me sulmuesin Ivan Periç

Ivan PeriçKukësi nuk di të ndalet në merkato. Klubi verior ka zyrtarizuar dje marrëveshjen me sulmuesin serb Ivan Periç. Në garë për këtë të fundit ishte edhe Skënderbeu, por drejtuesit e Kukësit janë treguar më konkretë në ofertën e tyre, duke e bindur lojtarin që firmosi për 1 vit. 32-vjeçari Periç vjen pas eksperiencave në disa kampionate, ndërsa më së shumti është aktivizuar në klube të Kazakistanit. Dje Periç i është bashkuar skuadrës në Ohër, ndërkohë që sot do të zhvillojë stërvitjen e parë me Kukësin. Gjatë së mërkurës, sulmuesi iu nënshtrua edhe një kontrolli mjekësor në Tiranë dhe pasi gjithçka doli Ok, është nisur në drejtim të Maqedonisë, për t’u prezantuar me skuadrën e re.
Karriera – Periç ka mbyllur sezonin me skuadrën e Ligës së Dytë turke, Mersin Idmanyurdu. Interesant është fakti se ai ka lindur në Kosovë, pikërisht në Prishtinë, më 5 maj të vitit 1982. Origjina e tij është serbe, ndërsa karrierën e ka nisur me FK Obiliq në vitin 2002 në Kosovë. Më pas është transferuar në Serbi te FK Zemun, ku në 16 ndeshje shënoi 6 gola. Pas shpërthimit në kampionatin serb, Periç luajti në Kazakistan për një sezon me Shahtjor Karagandin, ku shënoi 7 gola. Më pas u transferua në Ukrainë, ku firmosi për Arsenalin e Kievit dhe në 19 ndeshje të luajtura realizoi 6 gola. Karriera e sulmuesit shtatlartë vijon sërish me Jeju Junajtid në Korenë e Jugut, për t’u kthyer sërish te Shahtjor Karagandi. Që prej vitit 2009, Periç është aktivizuar në Kazakistan me klube si Aktobe, Ordabasy, Kaisar, FK Taras dhe Zhetysu. Në shtetin kazak Periç është bërë i famshëm, por në vitin 2014 u transferua në Turqi, për të përfunduar tashmë te Kukësi. Sulmuesi ka qenë në bisedime edhe me Skënderbeun, madje u përfol se ka arritur një marrëveshje, gjithsesi ai vendosi të nënshkruaj për skuadrën veriore. Periç pritet të debutojë me skuadrën e re në ndeshjet e Ligës së Europës. Tashmë Kukësi ka të gatshëm në sulm emra si Pejiç, Periç, Cikalleshi dhe Lushtaku.

Taianan, një tjetër brazilian për veriorët
Fantazisti i klubit grek, Iraklis, braziliani Taianan, mësohet se është një tjetër alternativë për të fuqizuar Kukësin. Burime të besueshme në klub treguan dje për “Panorama Sport” se me lojtarin kanë nisur bisedimet, por ky i fundit ka kërkuar dy ditë kohë për të dhënë një përgjigje përfundimtare. 27-vjeçari Taianan ka luajtur në Bullgari, Izrael, Spanjë, Austri dhe në sezonin e fundit në Greqi. Në vitin 2006 ai ka luajtur edhe për Kombëtaren U-20 të Brazilit. Ndërkohë, sot pritet të mbërrijnë në provë te Kukësi dy brazilianë. Bëhet fjalë për mesfushorin Xheferson Françisko Lopes dhe sulmuesin Xhunior Pinto. Këta të fundit do të vëzhgohen nga trajneri Canaj dhe më pas do të merret një vendim.
JONUZ HALLAÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"