Klubi i Kategorisë së Parë bën edhe dy afrime, kapiteni Çaço: Ia dalim për mbijetesën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 6, 2024 | 23:19

Klubi i Kategorisë së Parë bën edhe dy afrime, kapiteni Çaço: Ia dalim për mbijetesën

Në procesin e ngarkuar të minifazës përgatitore, stafi teknik i Tomorit po kryen njëkohësisht edhe një seleksionim, në të cilin do të përzgjidhen disa futbollistë që pritet të ndihmojnë skuadrën në pjesën e dytë të sezonit.

tomori ndeshja

Trajneri Febron Ziu pret përforcime cilësore, në një kohë që nga ekipi janë larguar plot 11 lojtarë. Pas zyrtarizimit të mesfushorit organizator, Arbër Deliu, gjatë ditës së premte kanë ardhur edhe dy konfirmime për afrime të tjera.

Bëhet fjalë për sulmuesin 20-vjeçar të ardhur nga Besa, Andrea Lila, si dhe mesfushorin 23-vjeçar Xhoi Hajdëraj, i cili deri në dhjetor ka qenë pjesë e Kukësit. Të dy lojtarët po stërviten në drejtimin e trajnerit Ziu dhe konsiderohen si prurje të rëndësishme për të plotësuar grupin pas largimeve të shumta.

Sakaq, puna për fazën seleksionuese do të vijojë, edhe pse në Berat ka aktualisht një fluks të madh futbollistësh në provë. Stafi është duke i kaluar në sitë të gjithë lojtarët, duke mos i mbyllur dyert askujt që pretendon se mund të bëjë diferencën te Tomori, që këtë sezon kërkon të mbijetojë në kategori.

KAPITENI – Ervis Çaço beson se Tomori do ia dalë në luftën për mbijetesë këtë sezon në Kategorinë e Parë. Kapiteni i beratasve, për “Panorama Sport”, u shpreh:

Caco-750x430

“Ndryshimet që kemi pësuar kanë një tendencë pozitive për të përmirësuar jo vetëm imazhin tonë si skuadër, por mbi të gjitha për të mundësuar ndryshimin e madh në rezultate. Puna e sapo nisur do të thotë se po krijojmë themelet e mbijetesës, duke u riorganizuar në nivelin e emrit që gëzon Tomori”.

EDI SPAHIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"