“Kërkoja Superioren, këtu nuk më njihnin”, një francez po shkëlqen te Lushnja: Qytet i qetë, por s’na sheh njeri

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 29, 2023 | 22:40

“Kërkoja Superioren, këtu nuk më njihnin”, një francez po shkëlqen te Lushnja: Qytet i qetë, por s’na sheh njeri

Priste që të transferohej te Dudelanzhe, por përfundoi në Lushnjë. Është kjo pak a shumë historia e Matjë Lëru, francezit që erdhi gjatë verës te verdhejeshilët. Është i kënaqur me këtë aventurë, por i vjen keq që nuk ka reklamimin e duhur.

leru 2

Beson fort se skuadra do ta kapë zonën “play off”, ndërsa në të ardhmen planifikon që të luajë në një nivel më të lartë. Gjatë një interviste të dhënë enkas për “Panorama Sport”, mesfushori 27-vjeçar rrëfen gjithçka rreth vetes dhe asaj që po përjeton në qytetin lagunar.

Si e gjeti Shqipërinë Matjë Lëru?
Në Shqipëri mbërrita me ndihmën e agjentit Xhelal Lilja. Kisha mundësi të qëndroja në Luksemburg, në klube të mira. Një opsion ishte për shembull Dudelanzhe, por fatkeqësisht nuk erdhi akordi financiar. Po ashtu mund të kthehesha edhe në Francë, por nuk e sigurova dot atë që doja. Duke mos ardhur ajo që unë vërtetë po prisja, zgjodha Shqipërinë. Nuk dua t’ju gënjej, kërkova diçka ekuivalente. Dëshira ishte që të luaja në nivelin e Superiores.

Po te Lushnja si përfunduat?
Më folën pikërisht për Lushnjën, kur po diskutohej opsioni i Shqipërisë. Këtu nuk më njihte njeri. Lushnja bëri një ekip të mirë për t’u ngjitur më lart. Kam bërë shumë sakrifica familjare dhe financiare për të luajtur këtu, por u përpoqa.

Jeni francezi i parë që luani për ekipin e këtij qyteti, e dini këtë?
Po, kam dëgjuar për këtë. Jam francezi i parë që luaj për Lushnjën. U prita mjaft mirë nga bashkëlojtarët, stafi dhe drejtuesit. Por duhet të tregohem i sinqertë, jam i zhgënjyer nga pjesa e parë e sezonit

. Çfarë nuk shkoi nga pjesa e parë e kampionatit?
Mendoj se kam bërë ndeshje shumë të mira. Por nuk kam krijuar impakt dhe kjo jo për fajin tim. Nuk ka shikueshmëri. Pak ndeshje janë të filmuara dhe transmetuara të ekipit tonë. Ndryshe nga ajo që kam përjetuar diku tjetër ose nga ajo që ndodh në Superiore për shembull.

Keni shënuar edhe dy gola kundër Kastriotit…
Dy gola që ia dedikova të dashurës dhe familjes sime, që për fat të keq nuk kanë mundur t’i shohin. Nuk ka pamje…

Ju pëlqeu jeta në qytetin e Lushnjës?
Lushnja është një qytet i bukur dhe mjaft i qetë. Jam përshtatur edhe me zakonet që kanë këtu. Nuk është një qytet i madh si Tirana apo nga ato që njoh unë në Francë, por nuk është keq… Njerëzit janë të mirë me mua, ndonëse më mungon familja.

leru

Momentalisht keni shkuar në Francë për pushimet e fundvitit, kur do të ktheheni në Lushnjë?
Aktualisht jam në Francë për festat e fundvitit, të cilat janë shumë të rëndësishme këtu. Janë shumë të rëndësishme edhe për mua, sepse është një traditë në vendin tonë. Nëse gjithçka shkon mirë më duhet të kthehem në Shqipëri në fillim të janarit, në 4 ose 5 janar.

Të kalojmë pak tek ekipi dhe ecuria në këto 16 javë. Pse kaq poshtë në tabelë? Pse kaq e ulët?
Pati shumë ndryshime gjatë nisjes së sezonit, ekipi u rinovua. Edhe pse kryem një fazë të mirë përgatitore, duhej kohë që grupi të kolaudohej. Pastaj, ju e dini që ne nuk i luanim ndeshjet tona në shtëpi. Sapo u kthyem në “Roza Haxhiu”, situata u përmbys për mirë. Po ta shikoni, nuk kemi humbur asnjë ndeshje që kur kemi ardhur në stadiumin tonë. Mendoj se ka pasur ndeshje ku meritonim të fitonim. Por kemi bërë gabime individuale, që kushtojnë pikë. Mendoj se duhet të kishim 5-6 pikë më shumë.

A mund të bëjë skuadra më mirë në pjesën tjetër të sezonit dhe të arrijë zonën “play off”?
Nëse Lushnja merr disa lojtarë të rëndësishëm në merkaton e dimrit dhe shfaq të njëjtën dëshirë si në ndeshjet e fundit, mendoj se do ta mbyllim sezonin në gjashtëshen e parë. “Play off”-in e shoh të mundshëm. Nuk duhet të bëjmë më gabime të së shkuarës dhe të ruajmë vazhdimësinë në ekip.

Do të qëndroni në Lushnjë deri në fund të sezonit?
Gjithçka varet nga mundësitë. Unë jam nën kontratë deri këtë verë, konkretisht më skadon më 30 qershor 2024. Nëse një mundësi e mirë diku tjetër apo në Superiore vjen në tavolinë, do të diskutojmë. Në moshën time nuk kam më kohë për të humbur. Kam objektiv për të shkuar sa më lart. Unë nuk jam më një lojtar i ri, 20 vjeç. Jam në vitet e mia më të mira profesionale. Ndihem shumë mirë fizikisht dhe niveli im është mjaft i mirë. Mendoj se mund të shkoj më lart para se të jetë tepër vonë. Mund të përshtatem dhe të luaj shpejt në Superiore. Sa më shpejt aq më mirë. Do të shoh se çfarë do të ndodhë dhe çfarë vendos Zoti për mua.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"