Kërcënon Flamurtari, Idrizi bën gati denoncimet: Nuk na lënë të luajmë, ky s’është futboll

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 10, 2024 | 9:37

Kërcënon Flamurtari, Idrizi bën gati denoncimet: Nuk na lënë të luajmë, ky s’është futboll

Personalitetet e sportit, politikës, deputetë dhe qytetarë ju përgjigjën thirrjes së presidentit të Flamurtarit, Sinan Idrizi, për të marrë pjesë në dëgjesën publike për të ardhmen e klubit dhe futbollit në përgjithësi.

Idrizi

Por, pati edhe mungesa, ku ra në sy ajo e ish-kryebashkiakut dhe ish-presidentit, Shpëtim Gjika. Idrizi kërkoi nga deputetët që të dërgojnë notë proteste ndaj FSHF-së në UEFA dhe ambasada. “Ju kam thirrur që të diskutojmë pas ngjarjeve që nuk janë të fundit, por në vazhdimësi në futbollin shqiptar. Në ndeshjen e fundit ndodhi ajo që në futboll quhet e parapërcaktuar dhe në këto kushte unë si financues i këtij projekti nuk e marrë dot përsipër që të luajë në fushat e futbollit. Organizatorët e garës nuk më lejojnë të luajë. Nga financimi kam qenë korrekt. Por në fushë, organizatorët na pengojnë në mënyrë ekstreme. Në këto kushte, e kam të vështirë që të menaxhojë këtë ekip. Futboll në këtë situatë nuk luhet. Duan që këtë markë t’ia heqin qytetit. Kërkoj nga deputetë e Vlorës që të iniciojnë nota proteste drejtuar FSHFsë, UEFA-s, si dhe trupit diplomatik të akredituar në Shqipëri. Unë miqësisht ju kërkoj deputetëve vlonjatë të thërrasin në interpelancë ministren e arsimit dhe sporteve, si licencuese e FSHF-së dhe të pyetet që a ka dijeni ajo se çfarë ndodh në Vlorë apo jo? A ka dije ajo që ky prishësi i garës çfarë po bën me këtë qyet, po apo jo? Të mos vijë vetëm në fushatë elektorale këtu. Këtu jemi në një situatë tjetër. Do të bëj një kallëzim në Prokurorinë e Vlorës, nëse ata shikojnë elementë të një vepre penale. Kusar do të thotë që të vjedhësh qytetin. Nuk e ka vjedhur Vlorën ndonjë kështu siç po bën ky zotëri. Po shkatërron këtë markë. Ne do të njoftojmë edhe UEFA-n. Flamurtari nuk tërhiqet nga gara”, u shpreh Idrizi.

KRYEBASHKIAKU – Ermal Dredha tha se ngjarja e Elbasanit ka sjellë reflektim. “Episodi i Elbasanit më bëri që të reflektoj. Ne si qytet krenohemi me simbolikën dhe emrin e madh që ka lënë Flamurtari. Është sakrificë e vazhdueshme. Të bësh sport ka dhe pasion brenda. Episodi që ndodhi atje është realisht i shëmtuar. Ne nuk po kërkojmë ndonjë gjë të madhe. Idrizi po jep pasionin e vetë, si te pjesa e financave dhe ringritjen e Flamurtarin siç i ka hije. Një punë e madhe po bëhet nga presidenti dhe lojtarët deri në vetëmohim. Mblidhemi për të bërë një nismë që gjithçka të jetë ‘fair-play’ dhe e drejta të shkojë në vend. Duhet të jemi të gjithë bashkë për qytetin, të trajtohemi të barabartë mes të barabartëve. Trajtimin nuk e kemi pasur siç duhet. Nuk duhet që qytetarët që ndjekin ekipin e zemrës të ndihen të përdhosur”, u shpreh krybashkiaku Dredha.

MEXHIT HAXHIU: “Është një çështje jetike për futbollin. Të gjithë të ngrenë zërin për këtë situatë, sportdashës dhe qytetarë. Jam i sigurt se e ardhmja e Flamurtarit do të jetë në nota pozitive”.

KRESHNIK ÇIPI: “Vit pas viti po goditemi, ndërsa ekipi i Flamurtarit po dëmtohet. Kjo ka një zgjidhje. Për momentin ka një emër të fryrë dhe të kamufluar për shkak të emrit të UEFA. Duhet një asamble e përgjithshme ku drejtuesit kanë forcën e votës, që të rivotohet edhe një herë zotëria që është aty. Por ka edhe një rrugë tjetër. Është mirë që deputetët të ngrenë një komision, që të kërkojë një kontroll”.

URAN XHAFA: “Nuk është hera e parë që Flamurtarit i ndodhin këto gjëra. Pasi futbolli është pozicionuar lart lumit Shkumbinit dhe fatkeqësia jonë është që jemi poshtë Shkumbinit. Na keni në krahë”.

ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"