“Kemi luajtur pastër, asnjë kompromis për titullin”, Ruçi “skanon” rrugëtimin deri në elitë: Shpallemi kampion dhe më pas…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 27, 2023 | 22:27

“Kemi luajtur pastër, asnjë kompromis për titullin”, Ruçi “skanon” rrugëtimin deri në elitë: Shpallemi kampion dhe më pas…

Shkëlzen Ruçi “skanon” rrugëtimin e Skënderbeut deri në elitë. Një rrugë e vështirë, por në fund e suksesshme. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, gardiani thotë se skuadra është respektuar në çdo fushë, ka luajtur ndershmërisht dhe këtë gjë do ta bëjë edhe në këto dy javë të mbetura. 30-vjeçari thekson se Kategoria e Parë është bërë e fortë dhe e bukur.

ruci

Si një portier tashmë me eksperiencë, Ruçi flet edhe për të ardhmen. Kontrata i përfundon në fund të sezonit, ndërsa do të vendosë në momentin më optimal, ndërsa ofertat nuk mungojnë. Është ndierë mirë në Korçë, një qytet që sipas tij jeton me futbollin.

Skënderbeu u ngjit matematikisht në Superiore. Jeni më të qetë tani?

Patjetër që po. Ka qenë një vit vërtet i vështirë, por ne ia arritëm qëllimin. Ndihemi shumë mirë, pasi u kthyem ku na takon, në Superiore.

Me luhatjet që kishit gjatë fazës së parë dhe garën e fortë me Dinamon e Flamurtarin, a e mendonit se do të ngjiteshit direkt?

Po është e vërtetë. Që në fillim dihej se rrugëtimi do të ishte shumë i vështirë për ne, sepse ishte edhe Dinamo e Flamurtari, dy ekipe elitare që kërkonin të njëjtin objektiv si ne. Ishte shumë të fortë si garë.

Çfarë ju bëri përshtypje gjatë këtij kampionati, si ju është dukur Kategoria e Parë?

Më ka bërë shumë përshtypje mënyra se si janë sjellë me ne në çdo stadium. Na kanë mirëpritur të gjithë. Kemi luajtur në çdo ndeshje futboll të pastër. Kategoria e Parë ka kaluar në një tjetër nivel. Është bërë shumë më konkurruese dhe e bukur.

Skënderbeu dhe Dinamo u ngjitën direkt në elitë, ndërsa Flamurtari do të luajë në “play off”. Verdikte të drejta këto?

Lufta ka qenë shumë e fortë për të tri ekipet. Mendoj se të tria e meritojnë Superioren, sepse janë ekipe që i mungojnë elitës shqiptare. Dikush gaboi, ndërsa dikush arriti objektivin e vet. Flamurtarit i uroj shumë suksese në “play off” dhe mendoj se do t’ia dalë të ngjitet në Superiore.

Me ngjitjen e siguruar, a do të ketë Skënderbeu angazhimin e plotë kundër Besës dhe Lushnjës që rrezikojnë…?

Këto ndeshje janë shumë të rëndësishme për ne, sepse shpallemi automatikisht kampion. Ndaj do të japim çdo gjë nga vetja për të arritur qëllimin, sikurse kemi bërë deri tani.

Kur i përfundon Ruçit kontrata?

Kontrata më mbaron në fund të sezonit.

A do të qëndroni edhe në Superiore?

Të them të drejtën tani jam fokusuar ta çojmë objektivin deri në fund, pastaj do të mendoj për të ardhmen time.

Keni pasur oferta të tjera?

Më kanë kontaktuar, por siç thashë jam fokusuar tek objektivi dhe pastaj do të vendos.

Si jeni ndierë në Korçë?

Në Korçë jam ndierë shumë mirë. Skënderbeu ka kushtet ndër më të mirat për të punuar në Superiore. Klubi ofron qetësi. Drejtuesit janë profesionistë. Jo më kot ky klub ka bërë histori në futbollin shqiptar. Si qytet, Korça është shumë e qetë dhe e dashur. Janë shumë sportdashës dhe këtu në Korçë jetojnë me futbollin.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"