Kategoria Superiore U-17 / Derbi vishet bardheblu, Flamurtari super

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 5, 2016 | 10:30

Kategoria Superiore U-17 / Derbi vishet bardheblu, Flamurtari super

GRUPI A

Tirana nuk përmbahet, gjunjëzon të kuqtë

Derbi i kryeqytetit mes paratërinjve të Tiranës dhe Partizanit u ka buzëqeshur bardhebluve të vegjël, të cilët për asnjë moment nuk e vendosën në dyshim fitoren. Skuadra e Sulejman Memës ka shënuar tre gola dhe ka zhvilluar një lojë bindëse, ndërsa të kuqtë ishin të pafuqishëm për të përballuar kundërshtarin. Goli i avantazhit u realizua nga Veriu në minutën e 34-t, me të kuqtë që deri në atë moment po rezistonin mirë. Pa u mbyllur mirë pjesa e parë, është Xhika që shkakton një autogol dhe bardheblutë shkojnë në pushim me shifrat 0-2.

Në pjesën e dytë, loja e të kuqve asnjëherë nuk arriti në nivelin e kërkuar, edhe pse ekipi i Çoçllit insistoi në fazën sulmuese. Tirana e menaxhoi mirë lojën dhe arriti që të trefishojë rezultatin në minutën e 57-të. Xhaferri vulosi fitoren e merituar të bardhebluve, që pas 10 javësh kampionat pozicionohen të dytët, në ndjekje të Vllaznisë. Javën e ardhshme Tirana luan një tjetër derbi, këtë herë ndaj Akademisë.

Abdulla Dushku

Derbi U-17

Vllaznia vuan për 3 pikë

Një fitore me vuajtje e kryesuesve të Vllaznisë kundër Kukësit. Kuqeblutë e vegjël e kishin marrë lehtë takimin dhe u desh një penallti tri minuta afër fundit që të triumfojnë me shifrat 2-1. Fillimisht ishte Boriçi që kaloi në avantazh shkodranët, ndërsa Elezaj barazoi për Kukësin nga penalltia. Më pas Hoxha u dha fitoren vendësve.

Admir Uruçi

Vllaznia-Kukesi

Ngec Shkëndija

Shkëndija e Tiranës dhe Akademia kanë ndarë nga një pikë në një ndeshje me ritëm. Në minutën e 10-të, kapiteni i Akademisë, Indrit Tuci, ka humbur një penallti, duke goditur jashtë portës. Loja ka qenë e bukur, ku në pjesën e parë ka pasur më shumë raste Akademia, ndërsa në 40 minutat e dyta ekipi i Pinarit ishte më kërkues, por nuk shënoi.

Abdulla Dushku

Shkendija

Ndeshja mes Internacionalit dhe Portos nuk është zhvilluar për shkak të mosparaqitjes së skuadrës mike. Gjyqtarët, pasi kanë rreshtuar ekipin e Internacionalit, kanë pritur 40 minuta. Kështu, sipas rregullores, skuadra vendase do të fitojë në tavolinë 3-0.

KS U-17 A

GRUPI B

Gola dhe shumë kartonë, Flamurtari super

Flamurtari shkatërroi Besën në Kavajë, duke fituar me shifrat 0-4. Gjyqtari Rakipi e nxori kartonin e verdhë plot 10 herë nga xhepi. Kavajasit u nervozuan pas dy golave të shpejtë të vlonjatëve. Elmazaj u bë protagonist me një dopietë, ndërsa Mata dhe Rapaj plotësuan triumfin e Flamurtarit, që kryeson grupin i shkëputur nga ndjekësit.

Feriz Ferizaj

Flamurtari

“Poker” i durrsakëve

Teuta ka shkatërruar Dinamon me rezultatin 4- 0, duke u ngjitur në vendin e dytë në grupin B. I pari shënoi Syziu në minutën e 24-t. Në pjesën e dytë durrsakët shpërthyen, duke shënuar tri herë të tjera. Protagonist u bë Berisha, i cili realizoi dopietë. Ndërsa autor i një goli u bë edhe Shtama. Dinamo u mundua të reagonte, por pa forcën e duhur.

Jeton Rexhmati

Teuta

Një penallti thyen Shkëndijën e Durrësit

Akademia e Dinamos ka mposhtur Shkëndijën e Durrësit me shifrat minimale 1-0. Penalltia e kthyer në gol nga D.Rama u ka mjaftuar bluve, të cilët e kërkuan më shumë fitoren. Skuadra e Endrit Agushit zhvilloi një lojë të mirë dhe kishte mundësi t’i dyfishonte shifrat. Spikatën Aga dhe Plaku, të cilët rrezikuan disa herë portën mike.

Abdulla Dushku

AF Dinamo

Skënderbeu cinik

Skënderbeu fitoi minimalisht 1-0 ndaj Pogradecit, në një ndeshje ku vendosi goli i Demollarit në minutën e 68-të. Korçarët kanë krijuar një volum të madhe loje, por ishin të pafat, duke goditur dy herë shtyllën. Pjesa e parë ka qenë e ekuilibruar, ndërsa në të dytën korçarët dominuan, duke shënuar me Demollarin golin e fitores.

Llazi Saro

Skenderbeu

Elbasani bën detyrën

Elbasani ka mundur pastër Lushnjën, duke shënuar nga një gol për secilën pjesë. Fillimisht ishte Sadiku ai që kaloi në avantazh verdheblutë dhe më pas Ibërshimi dyfishoi rezultatin. Loja ka qenë e një niveli të kënaqshëm, me elbasanasit që ishin më dominues, duke ia dalë në fund të marrin tri pikë. Lushnja bëri pak për të shënuar.

Elbasani

Vladimir Mema

KS U-17 B

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"