Kastriotit i mjaftuan dy minuta për të mundur Luzin. Heroi i krutanëve, Musaj: Fati ishte me ne

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 8, 2024 | 23:50

Kastriotit i mjaftuan dy minuta për të mundur Luzin. Heroi i krutanëve, Musaj: Fati ishte me ne

Kastrioti-Luzi 2008 ka rezultuar një duel mjaft i luftuar, por në fund fati u ka buzëqeshur krutanëve me një gol të shënuar nga Omar Musaji, që në minutën e dytë të takimit. Në këtë përballje, lufta sportive dhe “fair play” kanë qenë prezent gjatë gjithë ndeshjes.

kastrioti ndaj luzit

Te Kastrioti dukshëm u pa presioni për pikët, pasi pjesa më e madhe e lojtarëve nuk ishin të qetë psikologjikisht dhe për pasojë nuk arritën të harmonizoheshin mes tyre, sidomos në mesfushë. Tjetër pamje ka pasur loja e luznjakëve, që u shfaqën pa presion në fushë, kishin shpirt gare edhe pse nuk arritën të shmangin humbjen.

Ndeshja- Fitorja konsiderohej detyrim për Kastriotin dhe për këtë arsye të besuarit e trajnerit Ramadan Ndreu menjëherë hidhen në sulm në kërkim të golit. Fatmirësisht ky gol vjen shumë shpejt, që në minutën e dytë. Arrojo pason shkurtazi te Kodra dhe ky i fundit e dërgon topin në zonën mike, aty Musaj manovron bukur, gjuan dhe shënon. 1-0 për Kastriotin dhe shpërthen festa në stadiumin “Redi Maloku”. Luzi nuk stepet pas pësimit të golit dhe tentoi golin e barazimit.

Përpos insistimit të miqve, krutanët janë të kujdesshëm në prapavijë, si dhe arrijnë të administrojnë me qetësi golin e avantazhit. Pjesa e dytë ka më shumë ritëm, pasi edhe Kastrati mendon për sulmin dhe gjetjen e golit të dytë e të qetësisë, por deri në fund asnjë tentativë nga të dy kampet nuk finalizohet. Gjithçka mbyllet me fitoren e Kastriotit, që tani ka më shumë arsye për të mësuar te mbijetesa pa ndeshje shtesë.

Musaj: Fati ishte me ne

Kastrioti mori një trepikësh “të artë” kundër Luzit, kjo falë golit të shënuar nga Omar Musaj, i cili pas ndeshjes tha: “Ishte një ndeshje e vështirë, e luftuar deri në fund edhe nga Luzi. Një takim delikat për ne, pasi presioni për pikë ndikoi dhe nuk ishim të qetë. Shpresoj që në takimet e tjera të jemi me të çliruar psikologjikisht për të dalë atje ku duam. Fati i buzëqeshi Kastriotit dhe më vjen mirë që fituam me golin tim”.

SHKËLQIM HASANI- PANORAMASPORT.AL

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"