Kastrioti u kthye te fitorja, flet heroi Ajazi: E merituam, në Korçë shkojmë me moralin lart

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 13, 2021 | 23:40

Kastrioti u kthye te fitorja, flet heroi Ajazi: E merituam, në Korçë shkojmë me moralin lart

Spartak Ajazi shënoi një gol të rëndësishëm dje i cili u dha tri pikë të rëndësishme krutanëve. Shtatlarti në një prononcim për gazetën “Panorama Sport” foli për këtë takim.

ajazi kastiroti

Sa e rëndësishme ishte kjo fitore pas shumë javësh me rezultate negative?
Ishte një fitore jetike për ne, një fitore shprese, që do të na japë kurajë dhe do të na rrisë moralin për ndeshjet në vijim.

Ju gëzon fakti që këto tri pikë vijnë me golin tuaj?
Kjo ishte gjëja më e bukur që mund të ndodhte, jo për numrin e golave individualë, por për presionin që kishim si ekip. Normalisht dhe për mua pasi po hasja probleme me golin.

Jeni sërish të fundit, por kjo fitore ju hapi një dritë shprese. Si e shikoni garën për mbijetesë dhe çfarë i duhet Kastriotit për të qëndruar në mesin e më të mirave?
Gara është shumë e fortë, madje do të thosha është shumë e vështirë për të mbijetuar për ne, por edhe për kundërshtaret tanë. Është një kampionat i fortë dhe mund të humbasësh apo fitosh me çdo skuadër. Gjithsesi, unë mendoj se Kastrioti nga java në javë do të ngjitet lart. Neve na duhet që të jemi me këmbë në tokë pas kësaj fitoreje dhe të mendojmë me qetësi për sfidën e radhës, pasi vetëm duke i marrë gjërat me radhë mendoj se mund të bëjmë mirë.

Tjetër duel mbijetese në fundjavë?
Normalisht ky është kampionati, Skënderbeu është një kundërshtar i fortë dhe ne duhet ta vlerësojmë maksimalisht. Duhet t’i marrim ndeshjet një nga një, uroj të kemi dhe fatin me vete.

Goli i dytë ndaj Egnatias dhe i treti personal në Superiore këtë sezon. Çfarë synon Ajazi në pjesën e mbetur?
Synimi im është që të ndihmoj që ekipi t’i shpëtojë rënies nga kategoria, pastaj sa i përket aspektit personal dua që të bëj sa më mirë. Normalisht, sulmuesit kanë nevojë dhe të shënojnë.

BUJAR BALLIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"