Kastrioti gjen trajnerin e ri, sot bëhet prezantimi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 22, 2018 | 9:25

Kastrioti gjen trajnerin e ri, sot bëhet prezantimi

Kastrioti vazhdon të jetë pa trajner pas dorëheqjes së Elvis Plorit, i cili pas humbjes me Kukësin deklaroi se do të largohej pa kthim pas. Aktualisht, pankina krutane është pa “timonier”, mirëpo burimet e gazetës kanë mundur të zbulojnë se durrsaku Stavri Nica është pasuesi i Plorit, pasi mes tij dhe presidentit Vogli është arritur akordi dhe sot në mesditë Nica do të prezantohet përpara futbollistëve.

nica

Klubi nuk ka bërë ende publik asnjë informacion në lidhje me trajnerin e  ri, por pasditen e djeshme ka bërë zyrtare largimin e trajnerit Plori, ku e falënderon për kontributin e dhënë në këto javët e qëndrimit të tij në krye të skuadrës.

POSTIMI I KASTRIOTIT – “Trajneri Elvis Plori ka paraqitur dorëheqjen e parevokueshme nga drejtimi i Kastriotit dhe prej ditës së sotme (dje) nuk është më trajner i skuadrës.

kastrioti

Pavarësisht punës së madhe që tekniku ka bërë që në qershor me skuadrën, rezultatet nuk ishin ato që priteshin dhe kjo është arsyeja që tekniku e pa të arsyeshme të largohej me vullnetin e tij të plotë, duke i paraqitur dorëheqjen e parevokueshme presidentit Vogli. ‘KS Kastrioti’ e falënderon teknikun për kontributin e dhënë gjatë gjithë kësaj kohe në drejtimin e skuadrës dhe i uron suksese në karrierë trajnerit Plori”, thuhej në postimin e krutanëve për largimin e ish-trajnerit Plori.

SITUATA – Situata në kampin e Kastriotit nuk është aspak e mirë, ku pas fazës së parë kanë grumbulluar vetëm 4 pikë, duke arritur vetëm një fitore, një barazim dhe 7 humbje. Rezultate me të vërtetë zhgënjyese, aq më tepër kur loja e skuadrës ka qenë shumë e mirë. Krutanët po vuajnë mungesën e eksperiencës, e cila në disa ndeshje i ka penalizuar, si ndaj Laçit, Tiranës apo dhe së fundi Kukësit, ku kanë arritur të shënojnë të parët, por nuk kanë arritur të ruajnë avantazhin.

Plori

NDESHJA E RADHËS – Krutanët do ta nisin fazën e dytë me një tjetër ndeshje në shtëpi, teksa do të presin Luftëtarin, skuadrën e vetme, të cilën e kanë mundur deri më tani. Kjo do të jetë një mundësi e mirë për skuadrën debutuese në Superiore për të lënë fundin e tabelës dhe vetëm fitorja do ta bënte të mundur këtë ndryshim. Do të pritet me interes, nëse idetë dhe fryma e re që do të sjellë trajneri i ri te skuadra krutane, të sjellin ndryshime edhe në rezultate.

Bujar Balliu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"