Kastrioti ëndërron një mrekulli në fund, Çela e sheh nga tribuna ndeshjen kundër Egnatias

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 12, 2023 | 10:20

Kastrioti ëndërron një mrekulli në fund, Çela e sheh nga tribuna ndeshjen kundër Egnatias

Kur mbeten edhe 12 pikë në lojë, shpresat e Kastriotit për të mbijetuar në Kategorinë Superiore zvogëlohen ndjeshëm. Megjithatë, krutanët kanë treguar se nuk duan të dorëzohen derisa matematika t’i mbajë në lojë. Pas barazimit të fundit me Vllazninë në stadiumin “Elbasan Arena”, skuadra ka vijuar përgatitjet në kompleksin e Kamzës, nën drejtimin e Emiljano Çelës.

kastrioti

Për javën e 33- të, Kastrioti luan sërish në Elbasan si pritës, këtë herë ndaj ekipit më në formë të Superiores, Egnatia, teksa ndeshja do të luhet më 17 maj ora 15:00. Kjo ndeshje mund të konsiderohet si shansi i fundit për Kastriotin, që aktualisht është me një diferencë prej pesë pikësh nga vendi i tetë, që të çon në një ndeshje shtesë për qëndrimin në Superiore.

Mirëpo, nëse krutanët ia dalin të mundin Egnatian dhe njëkohësisht fiton edhe Kukësi i vendit të tetë ndaj Laçit, atëherë gjithçka do të zhbëhej, me tri ndeshje nga fundi, shanset do të ishin edhe më të pakta. Në duelin me rrogozhinasit do të rikthehet i gatshëm edhe mesfushori Abaz Karakaçi, i cili mungoi ndaj Vllaznisë për shkak kartonësh.

Nga ana tjetër, mbrojtësit Eneid Kodra dhe Adolf Selmani, vijojnë të jenë të pezulluar. Ndërkohë, në pankinë nuk do të jetë në këtë takim të radhës trajneri Çela, i cili me kartonin e verdhë të marrë, plotësoi numrin katër të tyre dhe kësisoj i duhet të mungojë, ashtu siç ndodh edhe me futbollistët.

Gjithsesi, Çela do të japë udhëzimet e tij, ndërsa në pankinë do të jenë ndihmësit e tij, Bekim Kuli dhe Shkëlzen Rustami. Kujtojmë që pas 32 javësh kampionat, Kastrioti mbyll tabelën e klasifikimit me 32 pikë, duke pasur një mesatare prej një pikë për ndeshje. Problemi më i madh i krutanëve këtë sezon kanë qenë transferuat, aty ku kanë humbur më shumë ndeshje se çdo skuadër.

SHKËLQIM HASANI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"