Kartonët e kuq bëhen makth, Kukësi e pëson çdo dy ndeshje. Nica ka kërkuar më shumë kujdes

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 5, 2023 | 15:22

Kartonët e kuq bëhen makth, Kukësi e pëson çdo dy ndeshje. Nica ka kërkuar më shumë kujdes

Kartonët e kuq po i bëhen makth Kukësit dhe Stavri Nicës. Herë për shkak të mostolerimit të gjyqtarëve dhe herë për gabimet e tyre, verilindorët janë të destinuar të mos i mbyllin ndeshjet me 11- të lojtarë. Rasti i fundit ishte ndaj Teutës të dielën, ku në minutën e 38-të mbrojtësi, Franci Lala, u ndëshkua me karton të kuq për një ndërhyrje në mesin e fushës.

KUKESI

Në fakt, në gjashtë javët e fundit, blutë i kanë mbyllur 50 % të ndeshjeve të tyre me 10 lojtarë. Bëhet fjalë për sfidën ndaj Vllaznisë, ku u ndëshkua Endri Reçi në fundin e pjesës së parë. Fatmirësisht, për Kukësin nuk ndikoi shumë ai karton, sepse në fund skuadra mori tri pikët. Më pas, është kartoni i kuq me Tiranën, ku u ndëshkua Nikolin Duka në të 61-ën dhe blutë në fund u mundën me rezultatin 3-2.

Për të ardhur tek përballja e fundit me durrsakët, ku dolën vetëm me një pikë. Kartonët e kuq kanë pasur më pas edhe ndikimin për sfidën pasardhëse, sepse lojtari i dënuar ka munguar sërish. Me pak fjalë, mund të thuhet se në Kukës po dënohen jo pak nga ndëshkimet e lojtarëve, në një kohë kur edhe organika që kanë në dispozicon nuk është shumë e pasur.

REZULTATET

Duket se javët e fundit skuadra e ka humbur shkëlqimin e saj, të paktën kur sheh rezultatet. Mjafton të thuhet se në pesë ndeshjet e fundit kanë marrë vetëm tre pikë, të cilat e kanë rikthyer sërish Kukësin në zonën e “ftohtë” të renditjes. Megjithatë, për aq kohë sa rivalët mbi ta nuk janë të shkëputur dhe shihen si plotësisht të arritshëm, në Kukës janë duke e marrë me qetësi këtë situatë. Thuajse të gjitha skuadrat po gabojnë herë pas here dhe nuk ka vend për panik, për më tepër duke ditur sesi e kanë nisur këtë kampionat dhe vinin pas katër humbjeve në start.

Këtë javë kanë përballë një rival direkt, Erzenin, sepse janë me pikë të barabarta në klasifikim dhe janë pikërisht këto ndeshje që i shërbejnë skuadrës për të bërë edhe kthesën që pritet. Nica do të ketë thuajse një javë në dispozicion për t’u përgatitur rreth kësaj sfide. Për fat të mirë po rikthehen edhe lojtarët e dëmtuar, siç janë rastet e mesfushorëve Abdou Mbarak dhe Daniel Momoh, duke i dhënë më shumë alternativa skuadrës.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"