Karlo Ançeloti nën akuzë, lojtarët i dalin publikisht në mbrojtje

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 19, 2023 | 19:15

Karlo Ançeloti nën akuzë, lojtarët i dalin publikisht në mbrojtje

Akulli nën këmbët e Karlo Ançelotit ka pësuar një krisje të thellë. Natyrisht që nuk është çarë përfundimisht, por humbja 4-0 në “Etihad” ka provokuar një varg reagimesh, duke rikthyer sërish në skenë vazhdimësinë e tij te Reali edhe në sezonin e ardhshëm.

anceloti

Reali nuk mundej me këto shifra në Europë që nga viti 2009, kur një tjetër klub anglez, Liverpuli, i shkaktonte një të tillë me të njëjtin rezultat. Nuk ka qenë humbja më e thellë për Realin, që ka parë dhe më keq për shembull 5-0 përballë Milanit të Ançelotit në vitin 1989. Votëbesimi publik që Perez i bëri trajnerit pas suksesin në finalen e Kupës së Mbretit nuk duket më një mburojë e padepërtueshme.

Katër golat e pësuar në “Etihad” e kanë vënë në një pozitë aspak komode Ançelotin. Trajneri i Realit është kritikuar ashpër në Spanjë në lidhje me vendimet që ai ka marrë në takimin kundër Sitit në Mançester. Ka qenë Guardiola që ia ka bërë të dukshme në publik zgjedhjet e gabuara teknikut të Realit, ku më kryesori ishte lënia në stol e Rydigerit, njeriu që neutralizoi Halandin në Madrid.

Maji ka rezultuar një muaj fatal për Ançelotin në sezonin e dytë gjatë aventurës së tij të parë në Madrid (2013-2015). Më 28 maj 2015 ai njoftonte shkëputjet e kontratës me “los blancos”. Tani tetë vjet më vonë Ançeloti duket në të njëjtët pozita, por me shpresën se do ta përmbushë kontratën e tij me Realin deri në vitin 2024. Por ndërsa Ançeloti është vënë në syrin e ciklonit dhe është kritikuar ashpër për humbjen në Mançester, tekniku italian ka mbështetjen e të gjithë ekipit, që kërkon vazhdimësinë e italianit.

KROS – Mesfushori gjerman ka qenë ndër të parët që ka komentuar për trajnerin e Realit. “Kush e ka vënë në pikëpyetje Ançelotin? Kush është ai që nuk beson te Karlo? Nuk shoh asnjë arsye për se duhet të largohet”, tha mesfushori.

VINICIUS – “Të gjithë kemi përgjegjësitë tona për eliminimin. Nuk shoh përse duhet të sulmohet vetëm trajneri. Ançeloti është i shkëlqyer”, tha braziliani.

KURTUA – “Ishte një humbje e rëndë dhe të gjithë e pranojmë këtë gjë. Por të hedhësh poshtë gjithçka vetëm pas një humbjeje, të vësh në diskutim gjithçka kemi bërë, nuk më duket një analizë e zgjuar”.

KARVAHAL – “Të gjithë flasin, por e rëndësishme është çfarë mendojmë ne në klub. Kemi gabuar të gjithë dhe të gjithë duhet të ringrihemi”.

Përgatiti: LEDJO SEFERKOLLI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"