Karakaçi: Trajneri më dënoi se i shënova Skënderbeut

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 24, 2016 | 9:52

Karakaçi: Trajneri më dënoi se i shënova Skënderbeut

Në cilin vend të botës mund të ndodhë që lojtari më i mirë i një jave më parë të mos grumbullohet për ndeshjen e radhës, se i ka dhënë fitoren skuadrës së tij? Por, nuk është aspak çudi që një gjë e tillë të ndodhë në vendin tonë. karakaciAbaz Karakaçi, kapiteni i skuadrës së Tërbunit, ishte një nga më të mirët në fushë në përballjen me korçarët një javë më parë, duke arritur të realizojë edhe golin e fitores për skuadrën e tij në minutat e fundit të takimit. Por, ai gol duket se i ka kushtuar shumë mesfushorit të talentuar, që në prag të ndeshjes ndaj Teutës e sheh vetën jashtë ekipit.

Arsyeja është e thjeshtë: i ka shkaktuar humbje Skënderbeut. Si të mos mjaftonte fakti që ai dhe gjithë skuadra kanë tetë rroga pa marrë, i duhet të përballet edhe me të tilla probleme.

Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, lojtari ka treguar edhe problemin më të fundit me të cilin është përballur.

Përse mendon se nuk je grumbulluar nga trajneri Gjoni për ndeshjen ndaj Teutës, që do të luhet nesër në Pukë?

Mendoj se ka ardhur vetëm për faktin se unë kam bërë punën time dhe kam shënuar golin e fitores për ekipin tim në ndeshjen ndaj Skënderbeut një javë më parë.

Përpara ndeshjes me korçarët, kishit ndonjë marrëveshje?

Unë për vete nuk kam pasur asnjë marrëveshje dhe kam bërë maksimumin tim, ashtu si pjesa tjetër e skuadrës, duke arritur të fitojmë. Se çfarë ka bërë trajneri ynë me atë të Skënderbeut, apo presidentin e korçarëve këtë  nuk e di. Unë si sportist bëj punën time dhe shënoj gol që të fitojë ekipi, pavarësisht se trajneri nuk ka qejf që skuadra të fitojë.

Mendon se është normale që kapiteni nuk grumbullohet, për më tepër të luash në kushte të vështira financiare, që tani i dimë të gjithë?

Natyrisht që nuk është normale, por duke qenë se ai është një trajner provincial, që nuk e di se çfarë është sporti, i bën këto veprime.

Ke folur me trajnerin Gjoni në lidhje me këtë veprim të tijin dhe nëse po, çfarë të ka thënë?

Para pesë minutash kam folur me trajnerin (dje, ora 18:04), pasi nuk më kishte marrë në telefon për nesër (sot). E pyeta nëse isha në 18- shen e ekipit dhe më tha se isha jashtë saj.

Po zyrtarisht të dha ndonjë arsye?

Arsyeja është deklarata në gazetë, që Partizani do të na jepte premio për fitoren në Korçë. Menjëherë trajneri e bën këtë veprim dhe më lë jashtë 18-shes, me arsyen se i kam shënuar gol Skënderbeut.

Si është atmosfera te Tërbuni në këtë fund kampionati?

Atmosfera është shumë e keqe, pasi asnjë prej lojtarëve nuk është paguar dhe trajneri Gjoni po i gënjen ditaditës duke i thënë se do paguheni. Edhe premiot që i jepen ekipit nuk janë shpërndarë.

Cilat do të jenë veprimet e tua pas këtij përjashtimi nga ekipi, nëse mund ta quajmë të tillë?

Unë do të vazhdoj punën time si sportist dhe do të dal në stërvitje, pastaj fshatari (trajneri) të bëjë punën e tij. Ai nuk dallohet që nuk e do ekipin. Ai do që skuadra të bjerë në Kategorinë e Parë.

Përgatiti: ARMAND HALILI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"