Karabeci: Kjo Tiranë e denjë edhe për Superioren, duhet të fitojmë sa më thellë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 20, 2017 | 21:00

Karabeci: Kjo Tiranë e denjë edhe për Superioren, duhet të fitojmë sa më thellë

Në prag të sfidës së javës së 5-të të Kategorisë së Parë të Grupit B, Tirana-Turbina, në konferencën e zakonshme për shtyp përpara sfidës ishte kapiteni i bardh e bluve Erando Karabeci i cili deklaroi:

Karabeci Tirana

“Kemi bërë detyrën në këto 4 javë, ndaj tani nuk na mbetet tjetër gjë veçse të ruajmë ritmin. Nga çdo ndeshje duhen marrë tri pikë dhe prioritet është që t’i vrasim ndeshjet. Edhe pse jemi në Kategorinë e Parë, mendoj se me grupin aktual do ishim të denjë edhe për Superioren.

Këtë e kemi treguar, por rëndësi ka qe të jemi me këmbë në tokë, pasi në fund të fundit nuk kemi bërë asgjë. Duhet të fitojmë që të gjitha ndeshjet dhe duhet te mos kemi asnjë gabim gjatë rrugës. Dhe kur them gabim, përfshij edhe barazimin. S’ka rendësi ku luajmë, brenda apo jashtë fushe, qëllimi nuk ndryshon. Mendoj se po sillemi si Tirana.

Karabeci

Numrat janë shumë të mira, pasi nuk kemi pësuar gol dhe duhet të vazhdojmë ta mbajmë 0 këtë kolonë, pasi është shumë e rëndësishme. Kur thashë t’i ‘vrasim’ ndeshjet e kisha edhe për këtë pjesë, pasi duhet t’i fitojmë sa më thellë të jetë e mundur. Ky bilanc rrit besimin dhe ndikon në moralin e ekipit dhe normalisht kundërshtarët i demoralizon, pasi kur të ndeshen me ne do e kenë te qartë se me kë kanë te bëjnë. Fakti që shënojnë te gjithë, është meritë e punës dhe trajnerit, pasi punon shumë për gjetjen e golit.

Ngjitja është një mision i detyrueshëm. E kemi nisur mirë, por tashmë duhet të vazhdojmë me ketë ritëm. Një bonus që kemi pasur në këtë fillim sezoni është koha dhe kjo ka bërë që fushat të jenë në kushte të mira. I druhem vetëm pjesës kur do fillojnë shirat, ndoshta mund të kemi problem, pasi jemi një ekip që luajmë me topin në këmbë.

Gjithsesi, ne nuk kemi justifikim. Për çdo ekip në botë, përkrahja e tifozëve është një bonus dhe sidomos për Tiranën. Është gjë shumë e mirë që t’i kemi në krah në çdo ndeshje”, përfundoi kapiteni dhe mesfushori i Tiranës, Erando Karabeci.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"