Kapiteni Kotobelli: Viti 2024 gjen Teutën me objektiva të reja

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 29, 2023 | 22:24

Kapiteni Kotobelli: Viti 2024 gjen Teutën me objektiva të reja

Për Teutën, rifillimi i kampionatit e vendos përballë një rivali për titull si është Partizani. Një sfidë delikate ndaj një ekipi që sapo ka ulur Orges Shehin në stol.

kotobelli

Për kapitenin Blerim Kotbelli, i cili ka luajtur edhe për të kuqtë në të kaluarën, normalisht që pritet të jetë një sfidë e vështirë. Ai gjithashtu shprehet se viti 2024 do të jetë me objektiva të reja për Teutën, ndërsa Kotobelli thekson se nga klubi nuk ka presion, por vetë grupi ndjen diçka të tillë për shkak se nuk po paraqitet siç duhet.

Blerim, si e shihni këtë Teutë?
Gjithmonë kur vjen viti i ri janë dhe objektiva të reja. Këtë vit motivimi i skuadrës do të jetë më i madh, ne do jemi më të fortë se gjysma e parë e sezonit. Do të punojmë shumë për tu përmirësuar. E dimë që na pret një punë e vështirë, por fryma e mirë ekipore dhe gjendja e mirë e të gjithë shokëve, na jep besim se ky vit i ri do të jetë më i mirë për Teutën.

Viti 2024 nis me një duel delikat ndaj Partizanit, sa e vështirë pritet të jetë kjo ndeshje?
Në çdo ndeshje që kalon rritet shkalla e vështirësisë, për vetë faktin që edhe skuadrat nuk të nënvlerësojnë. Do të jemi të kujdesshëm, pasi përpara kemi një skuadër të fortë. Do e menaxhojmë mirë lojën nga fillimi në fund, do jemi të kujdesshëm në fazën mbrojtëse.

Duke qenë një sfidë e vështirë, kënaqet Kotobelli edhe me një pikë?
E kam thënë shpesh që kryesorja është të luajmë futboll. E rëndësishme është të luajmë, të japim maksimumin, të jemi të përqendruar dhe ta kuptojmë se të gjitha skuadrat janë të forta. Duhet të hyjmë në fushë me synimin për të marrë tri pikët dhe të luajmë futboll. Këtë duam të gjithë në skuadër në këtë ndeshje, pastaj rezultatin e vendos fusha.

A ndiheni në presion, jo vetëm ju, por edhe skuadra?
Normal që ndihemi në presion, por jo nga klubi, por ndihemi sepse duam të arrijmë diçka. Për mua ky presion është normal. Ndihemi në presion të gjithë, nga unë te skuadra, sepse duam të bëjmë më të mirën për ekipin.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"