Kapiteni Çaço, mesazh shprese për mbijetesën e Tomorit në Kategorinë e Parë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 13, 2024 | 23:19

Kapiteni Çaço, mesazh shprese për mbijetesën e Tomorit në Kategorinë e Parë

Tomori ka hedhur pas krahëve humbjen me Elbasanin për të rinisur nga puna ditën e hënë. Beratasit janë fokusuar tërësisht te ndeshja e radhës, të cilën do ta zhvillojnë këtë fundjavë ndaj Burrelit në transfertë. Dy humbjet radhazi, me Besën dhe Elbasanin, e kanë rikthyer Tomorin në pozita mjaft të vështira. Kalendari në vijim nuk është aspak i lehtë me sfida që kërkojnë një mobilizim tërësor.

Caco 8

Beratasve tani u duhen pikët për të shmangur rënien direkt. Matjanët janë një kundërshtar direkt për mbijetesë për skuadrën e teknikut Ziu. Ky i fundit së bashku me faktorët mbështetës po punojnë që të mbajnë të ndezur shpresën për mbijetesë. Kapiteni i Tomorit Ervis Çaço, ka përcjellë për “Panorama Sport” mesazhin e shpresës për ta kaluar këtë moment të vështirë. “Dy humbjet e fundit na kanë lënë në të njëjtat pozita në renditje.

Jemi të ndërgjegjshëm se kemi merituar më shumë në këto dy javë, pavarësisht se herë nga gabimet tona dhe herë nga faktor të jashtëm që lidhen me gjykimet, jemi dëmtuar dhe pse luajmë bukur dhe të barabartë me kundërshtarët. E rëndësishme është që skuadra dhe stafi teknik beson te mbijetesa dhe do të bëjmë gjithçka për t’u rikthyer te pikët, aq shumë të nevojshme për objektivin që kemi.

Shpresojmë shumë që kthesa të nisë që në ndeshjen e radhës me Burrelin. Do të jetë një transfertë jo e lehtë dhe mendoj se jemi dy skuadra me cilësi dhe forcë të njëjtë. Pavarësisht se matjanët do të jenë favoritë në letër, ne i kemi të gjitha mundësitë që të mos dalim pa pikë nga ky takim”, u shpreh kapiteni i beratasve, Ervis Çaço.

EDI SPAHIU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"