Kaos në Kategorinë e Dytë/ Jepen 4 të kuq, lojtari i gris kartonin arbitrit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 22, 2021 | 23:42

Kaos në Kategorinë e Dytë/ Jepen 4 të kuq, lojtari i gris kartonin arbitrit

Albpetroli dhe Maliqi ka qenë një ndeshje shumë e fortë dhe me polemika, por miqtë ia dolën të dilnin me tri pikë nga stadiumi “Alush Noga”. Ndeshja nisi e bukur me të dyja ekipet, që kërkonin të kapnin në befasi njëratjetrën. Në minutën e 20-të Mehmetaj pati një rast të artë, teksa i vetëm përballë Lamellarit gabon.

Albpetroli

Në momentin më të mirë të vendësve, Maliqi godet Albpetrolin në minutën e 34-t, ku Kame përfiton nga një vendosje e gabuar dhe kalon në epërsi miqtë. Në pjesën e dytë loja përqendrohet në mesfushë, ndërsa rastin më të pastër e ka Hatia në minutën e 60- të. Albpetroli kërkon me ngulm golin, por pas minutës së 75-të ka tension në fushë. Pas rrëzimit të Ballës në zonë, patosarakët pretendojnë një penallti, por nuk është i këtij mendimi gjyqtari Spahiu. Protestat e patosarakëve janë të ashpra dhe arbitri nxjerr me të kuq njëri pas tjetrit lojtarë si Hatia, Gropa dhe Muhametaj.

Ky i fundit, duke debatuar me arbitrin, i gris edhe kartonin, duke rikthyer në skenë atë që bëri Hamdi Salihi në vitin 2017 në ndeshjen Kukësi-Skënderbeu 2- 0. Nuk shpëtoi nga kartoni i kuq as trajneri Dushi. Albpetroli mbeti me 8 futbollistë në fushë, por sërish kërkoi të barazonte, madje pati një rast me Xhoxhajn.

Llazar dushi

REAGIMI – Trajneri i Albpetrolit, Llazar Dushi, për “Panorama Sport” deklaroi: “Nuk kam prova të them se ishte një arbitër i komanduar që gjykoi totalisht në dëm të ekipit tonë, por aktrimi i tij në fushë këtë përshtypje më la. Gjyqtari prishi harmoninë e grupit dhe shkatërroi çdo gjë për ekipin tim. Këtu në Patos dënohesh vetëm nëse konteston për një rivënie anësore, ndërsa në shumë qytete dhuna është normalitet”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"