Kampionati Botëror i Peshëngritjes/ “Konkurrenca e lartë, por Calja dhe Qerimaj janë në formë”, Gjoza: Në Kolumbi për… medalje!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 4, 2022 | 11:14

Kampionati Botëror i Peshëngritjes/ “Konkurrenca e lartë, por Calja dhe Qerimaj janë në formë”, Gjoza: Në Kolumbi për… medalje!

Nga data 5 deri më 16 dhjetor në Bogota të Kolumbisë do të zhvillohet Kampionati Botëror i Peshëngritjes, që është edhe evenimenti më i madh i shtangës për vitin 2022.

GJOZA

Në këtë kompeticion do të garojë edhe Shqipëria, e cila do të përfaqësohet me Briken Caljen dhe Erkand Qerimajn.

Të dy do të kërkojnë që të përsërisin atë paraqitje fantastike të një viti më parë në Uzbekistan, me Caljen që u shpall madje kampion bote, edhe pse nuk do të jetë e lehtë për shkak të rivalitetit shumë të lartë.

Në prag të botërorit “Panorama Sport” ka kontaktuar me presidentin e Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Elez Gjozën. Kreu FSHP-së tregon gjendjen e Kombëtares Kuqezi para nisjes për në Kolumbi.

Gjoza thekson rëndësinë e këtij eventi, që është edhe kualifikues për olimpiadën, ndërsa deklaron se Shqipëria ka pritshmëri për medalje me Caljen edhe pse konkurrenca është e jashtëzakonshme.

RËNDËSIA E DYFISHTË – Gjoza fillimisht tregon gjendjen e skuadrës, ndërsa evidenton edhe vlerën e dyfishtë të këtij kompeticioni: “Përgatitjet për këtë kompeticion kanë qenë shumë serioze.

Dy sportistët janë në gjendje të mirë fizike dhe vijnë me shumë eksperiencë në Botëror. Ky Botëror është në shërbim të Lojërave Olimpike ‘Paris 2024’, pasi nis edhe grumbullimi i pikëve për sportistët që do të marrin pjesë në olimpiadë.

Ne paraqitemi në këtë kompeticion të rëndësishëm me dy peshëngritësit tanë, të cilët janë në elitën e sportit, si Briken Calja dhe Erkand Qerimaj.

Janë dy sportistë pretendentë edhe për olimpiadën, të cilët kanë përpara 5 gara kualifikuese deri në ‘Paris 2024’”.

KONKURRECNA DHE PRITSHMËRITË – Kreu i shtangës shqiptare më tej flet për rivalitetin e lartë dhe pritshmëritë për garat:

“Pesha 73 kg është kategoria më e fortë e Botërorit, me një numër rekord sportistësh.

Një garë ku do të marrin pjesë superfuqi si Kina, Indonezia apo edhe shtete të tjera me deklarime rezultate shumë të larta, por ne normalisht gjithmonë kemi qenë në top-listë dhe ashtu do të jemi edhe këtë herë.

Briken Calja gëzon një formë shumë të mirë. Kemi bërë dy gara kontrolli së fundmi dhe ka treguar një gjendje të shkëlqyer.

Jam i sigurt që Brikeni do ta thotë fjalën e tij ashtu sikurse e tha edhe në Uzbekistan dhe do të jetë sigurisht në vendet e para.

Ne pretendojmë pa diskutim zonën e medaljeve me Brikenin, pavarësisht se kjo kategori peshash është jashtëzakonisht e fortë, më e forta e kampionatit”.

BOTËRORI I TË RINJVE – Në fund Gjoza ndalet edhe te Botërori i të rinjve për vitin 2023, që është një tjetër eveniment madhor i shtangës që do të zhvillohet në Shqipëri.

“Për këtë aktivitet do të bëhet në Kolumbi edhe prezantimi i videoklipit gjatë Kongresit Botëror. Një videoklip që është afërsisht 8 minuta, ku tregon të gjithë infrastrukturën shqiptare.

Është Botërori i parë që organizohet në Shqipëri. Është vërtet një ngjarje shumë e madhe, ku priten të vijnë mbi 1200 sportistë dhe zyrtarë, drejtuesit më të lartë të Federatës Botërore, me presidentin dhe të gjithë bordin ekzekutiv.

Pra do të jetë një reklamë shumë e mirë për vendin tonë, aq më tepër që edhe Tirana është shpallur kryeqyteti i Europës për sportin”, përfundon prononcimin e tij Elez Gjoza.

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"