“Kalendari e prish garën, nuk na falen më gabime”, Flamurtari luan “finalen” e parë, Sampaio: E njohim rivalin, por… fitojmë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 3, 2021 | 11:04

“Kalendari e prish garën, nuk na falen më gabime”, Flamurtari luan “finalen” e parë, Sampaio: E njohim rivalin, por… fitojmë

Rui Sampaio sot në Lushnjë, në 13:30, do të kërkojë vetëm fitoren nga të tijtë. Pavarësisht se i di vështirësitë e kësaj ndeshjeje, portugezi është i bindur se ekipit i duhen vetëm tri pikët. Për “Panorama Sport”, Sampaio thotë se Flamurtari ka punuar të mos i përsërisë gabimet e ndeshjes së kaluar me Lushnjën.

SAMPAIO

“E mbyllëm fazën e dytë jo ashtu si do të donim të gjithë. Ne duhet që të luftojmë fort për të kaluar këtë moment të keq. Ndeshja me Lushnjën është shumë e rëndësishme për ne dhe do të udhëtojmë vetëm për të marrë tri pikët. Për Flamurtarin, deri në fund, do të jenë 6 finale. Qëllimi ynë është që të qëndrojmë në këtë kategori dhe do të bëjmë maksimumin për ta realizuar këtë objektiv. Ne e njohim Lushnjën dhe kemi humbur dy herë kundër tyre. Kësaj radhe duhet të luajmë për të fituar, përndryshe do të na bëhet më e vështirë. Nuk duhet që t’i përsërisim gabimet që bëmë përballjen e kaluar me të. Kemi punuar gjatë gjithë javës për të korrigjuar të gjitha gabimet e vëna re në takimin e kaluar dhe për të mos i përsëritur. Grupi është duke punuar mirë dhe duke iu përgjigjur pozitivisht strategjisë që ne kemi. Gjatë javës kemi punuar që të marrim fitoren, me gjithë respektin që kemi për Lushnjën dhe për atë që ka bërë në këtë kampionat”, shprehet Sampaio.

“PLAY OUT” – Trajneri i Flamurtarit, Rui Sampaio, e sheh tejet të vështirë fazën e tretë të kampionatit. Megjithatë, ka besim te të tijtë. “Ndeshjet e ‘play out’-it do të jenë shumë të vështira. Të gjitha ekipet do të luajnë me të gjitha strategjitë që mund të përdorin. Por, djemtë tanë janë të fortë dhe të përgatitur për t’u përgjigjur në mënyrën më të mirë dhe për të arritur qëllimin që kemi. Mënyra se si zhvillohen këto ndeshje na e bën edhe më të vështirë. E kam fjalën për kalendarin. Lojtarët duhet të presin dy javë deri në ndeshjen tjetër, pasi javën pas Lushnjës e kemi pushim. Kjo nuk ndihmon që lojtarët të nxjerrin cilësitë e tyre për të mos thënë se kështu nuk kemi të bëjmë as me konkurrencë më”, përfundon Sampaio.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"