Ka nisur kursin për trajner, shikoni si po i stërvit 100 kilogramët “marinsi” Lukaku

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 26, 2020 | 18:48

Ka nisur kursin për trajner, shikoni si po i stërvit 100 kilogramët “marinsi” Lukaku

Me një fizik të tillë, gjithçka është e mundur. Romelu Lukaku dhe ditët e izolimit në shtëpinë në Milano e kanë treguar. Humori i numrit 9 të Interit është rikthyer i lartë pasi u rikthye në Belgjikë pranë familjes së tij, ndërsa forma fizike është prej ushtaraku.

LUKAKU

Për një person si ai, i gjatë 1.91 metra dhe me peshë me shumë se 100 kilogramë, mbajtja e muskujve të stërvitur është thelbësore: belgut i është dashur të kryejë një punë të dyfishtë në fillim të sezonit, kur përgatitja e dobët me Mançester Junajtid e kishte mbajtur jashtë forme.

Me Konten ka luajtur shumë, është rikthyer “shpërthyes” dhe Interi është mbështetur tek ai. Tani detyrat në shtëpi të caktuara nga trajneri do të jenë të rëndësishme po aq sa gjashtë muajt e parë zikaltër. Nëse sezoni do të rinisë, Lukaku nuk do të ketë kohë për të humbur kohë: duhet të jetë në maja, sepse skuadra do të ketë nevojë për të.

AXHENDË E NGJESHUR – Nga e marta në mbrëmje Romelu ndodhet në Bruksel: porsa u mbyll vetë-karantina interiste pas infektimit të juventinit Rugani, belgu dhe shokët e tjerë (Brozoviç, Handanoviç, Eriksen, Godin, Jang dhe Mozes) janë rikthyer në shtëpi. Normalisht, ekziston problemi i izilomit të dyfishtë prej 14 ditësh që sot vendos në rrezik rinisjen e stërvitjeve, por futbollistët e Interit konsideruan më të rëndësishëm bashkimin me familjet.

Me Lukakun fluturoi në Belgjikë edhe fizioterapisti personal, për të vazhduar programin stërvitor të stiluar nga Konte, përgatitësi Pintus dhe nutricionisti Pinçela. Këtu “gjigandi” ka shtuar një tjetër detyrë: po, sepse sulmuesi, ashtu si shokët e kombëtares De Brujne dhe Vitsel, ka nisur të studiojë edhe për të marrë licencën UEFA për trajner. Një kurs në internet, aq sa mjafton për të kuptuar që Romelu është gjithmonë një hap përpara.

Dita e tij tipike në kohët e Koronavirusit nis me biçikletë. Ndërsa dy pajisje që e kanë ndihmuar në ditët e para të izolimit janë “Tecar” dhe dhoma iperbarike: e para e përdorur për t’u rikuperuar nga dëmtimet, shërben për të rivendosur në punë muskujt; e dyta, e kërkuar nga Lukaku pasi ka parë ta përdorë LeBron Xhems, shëben për të përshkejtuar rikuperimin, por për tani ka mbetur në shtëpinë në Milano.

Skeda e punës parashikon dy seanca stërvitore në ditë prej rreth dy orësh. Thelbësore janë edhe ushtrimet me rripin elastik: videot ku Romelu tregon punën e tij i djersitur është prova e nevojshme. Po dieta? Nutricionisti ka rezultuar vendimtar mbi sezonin e belgut: Lukaku ndryshoi dietë pa humbur shumë peshë, duke ruajtur forcën. Mjekët e “Appiano”-s i dërgonin vaktet në shtëpi në Milano, tani duhet të mendojë vetë. Një stërvitje prej “marinsi”, por kështu Interi ndihet i sigurt.

Përgatiti: LEDIO NASE – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"