“Ka mbetur gjysma e lojtarëve të vjetshëm”, Daja “SMS” Partizanit: Pa merkato nuk ka titull (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 2, 2020 | 23:27

“Ka mbetur gjysma e lojtarëve të vjetshëm”, Daja “SMS” Partizanit: Pa merkato nuk ka titull (E PLOTË)

Partizani i sezonit të ri do të drejtohet nga trajneri Ilir Daja, i cili nga 12 gushti ka nisur punën në terren. Bllokimi i merkatos në hyrje i ka kushtëzuar shumë përgatitjet e të kuqve në këtë periudhë. Në prononcimin e dhënë për “News 24”, trajneri Daja tregon hallet e Partizanit të tij, si dhe pritshmëritë. Pa dyshim shpresat janë te hapja e merkatos, në mënyrë që “demat” të përforcohen në rolet që kanë nevojë.
Daja
Trajneri është treguar i sinqertë në prononcimin e tij, pasi pa merkato dhe me grupin që i ka mbetur nga sezoni i fundit, arritja e pretendimeve maksimale është thuajse e pamundur. Gjithsesi, edhe me grupin që ka në dispozicion ai premton të japë më të mirën e mundshme.

Mungesa e ndërhyrjes në merkato, sa po jua pengon punën tuaj?

Ne kemi një kontingjent të trashëguar nga edicioni i kaluar, duke llogaritur shumë largime. Unë po përmend largimin e Trashit si pjesë e ekipit kombëtar. Objektivat që ka Partizani, me këtë kontingjent janë shumë të vështira për t’u arritur, sepse është një grup i plotësuar me lojtarë të rinj nga Partizani B. Ne shpresojmë që të hapet merkatoja që të jemi më afër objektivave që ka Partizani në çdo sezon.
Ilir Daja
Ndryshe çfarë pritet?

Ndryshe do të punojmë fort me grupin që kemi në dispozicion, sepse duke ngushtuar objektivat maksimalë, në bazë të grupit që kemi do të nxjerrim në fund të merkatos edhe objektivin real për të qenë me këmbë në tokë.

Çfarë do të thotë kjo?

Kjo do të thotë që t’i marrim maksimumin grupit që kemi në dispozicion, por shpresojmë që duke qenë një çështje në gjykim e sipër të vijë një përgjigje shumë e shpejtë pozitive, në mënyrë që të afrojmë ata lojtarë për repartet që kemi nevojë.

Te Partizani keni ardhur me kërkesa maksimale, rikthimi te titulli kampion, apo ka ndryshime në pretendime?

Në situatën kur merkatoja është e bllokuar dhe trashëgon gjysmën e lojtarëve nga sezoni i kaluar, që u renditën në vendin e gjashtë, besoj se pretendimet nuk do të jenë më maksimale.

Unë e kam të qartë që në një klub si Partizani vihet për të luftuar për pretendime maksimale, por sigurisht kur merkatoja është e hapur që të plotësohet kontingjenti për të arritur këtë objektiv maksimal.

ILIR CARA – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"