Ka emrin e kryeministrit dhe mbiemrin e kreut të PD, ju flet Edi Basha i Kukësit: Politika larg sportit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 21, 2021 | 22:12

Ka emrin e kryeministrit dhe mbiemrin e kreut të PD, ju flet Edi Basha i Kukësit: Politika larg sportit

Një kroat me emër shqiptar po spikat te Kukësi në këtë start kampionati, teksa në ndeshjen e fundit ndaj Kastriotit shënoi një dopietë personale. Bëhet fjalë për Edi Bashën, i cili ia ka dalë të bëjë shumë shpejt për vete trajnerin Longo, por edhe tifozët e Kukësit. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, 28-vjeçari ndihet i kënaqur për startin që ka bërë skuadra, pasi e rrit shumë moralisht.

pjimage (17)

Sa u përket golave personalë, kroati tregohet shumë altruist, duke theksuar se nuk i interesojnë shumë përpara pikëve të skuadrës. Në fund, sulmuesi i Kukësit mëson se ka emrin e kryeministrit shqiptar dhe mbiemrin e kryetarit të opozitës, ndërkohë që në Kroaci ndodhte shpesh që lojtarët shqiptarë që luanin atje të dyshonin për prejardhjen e tij. Sa i përket vendit tonë, Tirana e ka impresionuar për mirë.

Basha, shënuat dy gola duke i dhënë fitoren skuadrës. Si ndiheni?
Së pari, është kënaqësia e fitores, pasi na duhej ta bënim këtë. Është hera ime e parë që shënoj me skuadrën dhe jam shumë i kënaqur për rezultatin. Ne duhet ta bëjmë këtë gjë në çdo ndeshje. Stërvitemi çdo ditë fort dhe nuk kam dyshime për rezultatet.

Sa vlejnë për moralin dy fitore në start?
Është e rëndësishme, sepse ne jemi një skuadër e re me trajner të ri, edhe për mua është një kampionat i ri. Por, ne jemi stërvitur shumë mirë dhe jam shumë i kënaqur me këtë fillim sezoni.

A keni objektiva personalë sa u përket golave përgjatë këtij sezoni?
Nuk kam, por do të shohim. Për mua nuk është e rëndësishme sa gola do të shënoj, pasi thjesht dua të ndihmoj skuadrën.

Ndeshja e radhës, përballë Laçit. Prisni të fitoni sërish?
Do të bëjmë më të mirën e mundshme në çdo ndeshje. E di që do të përgatitemi mirë për çdo ndeshje dhe nuk jam i frikësuar për asnjërën prej tyre.

Jeni në dijeni që emri dhe mbiemri juaj janë shqiptarë dhe a ju kanë ngacmuar për këtë gjë?
(Qesh) Po, po, jam në dijeni. Kur luaja në Kroaci, disa lojtarë nga Shqipëria më kanë pyetur nëse jam nga Shqipëria, duke parë emrin tim.

Po që keni emrin e kryeministrit shqiptar dhe mbiemrin e kryetarit të opozitës, jeni në dijeni?
Nuk e di, në fakt, sepse nuk më intereson shumë politika dhe askush nuk më ka thënë gjë deri tani. Unë shoh vetëm anën sportive dhe të luaj futboll.

Si ju duket Shqipëria përgjatë kësaj kohe që jeni këtu?
Më pëlqen shumë. Tirana është një qytet i bukur për të jetuar. Jam për herë të parë këtu dhe kam vetëm gjëra të mira për të thënë.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"