K.Ronaldo, goleadori më efikas në historinë e Realit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 23, 2012 | 8:52

K.Ronaldo, goleadori më efikas në historinë e Realit

Me golin kundër Vilarealit, Kristiano Ronaldo, arriti kuotën e 100 golave me fanellën madrilene në kampionat. Rendimenti i portugezit në “Santiago Bernabeu” është i frikshëm dhe fare mirë mund të krahasohet me shifrat e rivalit më të madh të tij, Leo Mesit. Kujtojmë se këto 100 gola në La Liga, sulmuesi i ka realizuar vetëm në 90 ndeshje (mesatarisht 1.11 gola për ndeshje). Me këto statistika CR7 thyen dhe rekordin e dy lojtarëve më efikas në historinë e klubit mbretëror, Pahinjon (0.87 gola për ndeshje) dhe të më të madhin e historisë, Ferenc Pushkash, i cili në 180 ndeshjet e tij në “Bernabeu” e shkundi rrjetën 156 herë (0.86 gola për çdo 90 minuta). Për më tepër, 27-vjeçari është bërë futbollisti i dytë në historinë e klubit spanjoll që arrin kuotën e 100 golave me numrin më të ulët të ndeshjeve. I pari që e arriti këtë rekord ishte sulmuesi legjendar Isidro Langara, në vetëm 82 ndeshje, ndërsa Pushkashit iu deshën 105 ndeshje për të shënuar 100 gola. Por, beniamini i Murinjos u bë pas ndeshjes me “nëndetëset e verdha” lojtari i tretë më i ri që shënoi 100 gola pas Raulit (ishte vetëm 22 vjeç e 293 ditë) dhe Santilanas (26 vjeç e 144 ditë). Kristiano e arriti të mërkurën kur ishte vetëm 27 vjeç e 45 ditë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"