“Juventus, me Ronaldon je favorite për Champions-in”, flet Mbape: Më mirë një karrierë si e Kristianos sesa ajo e Mesit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 23, 2020 | 15:35

“Juventus, me Ronaldon je favorite për Champions-in”, flet Mbape: Më mirë një karrierë si e Kristianos sesa ajo e Mesit

Kilië Mbape kërkon të fitojë gjithçka, por pa harruar asnjëherë se nga e nisi. Fenomeni i PSG-së sapo ka lajmëruar hapjen e fondacionit të tij, “Ispired-by-KM”, i cili do të ketë si qëllim që të shoqërojë në hapat e parë të jetës deri në arritjen e moshës madhore 98 fëmijë, të cilët do të seleksionohen nga departamenti i punësuar prej tij, i cili është vendosur në periferi të Parisit, pikërisht aty ku ai nisi të shkelmonte për herë të parë topin. 

Mbape

Por përveç kësaj nisme fantastike, në një intervistë për “Gazzetta dello Sport”, sulmuesi i PSGsë përfiton nga rasti për të treguar edhe të gjitha ambiciet e tij të së ardhmes, duke nisur nga eliminimi i trefishtë në 1/ 8-at e Ligës së Kampioneve: “Ëndrra ime është që Champions-in e parë ta fitoj me bluzën e PSG-së, por, pse jo, edhe Europianin. Madje, jam i hapur edhe për Lojërat Olimpike, me përfaqësuesen franceze. Si të gjitha ëndrrat duket e vështirë që t’i realizosh të gjitha, por unë do të bëj të pamundurën që t’ia dal, pasi jo gjithçka varet nga unë. Gjithsesi, nëse do të më duhej të zgjidhja, do të preferoja Champions-in më shumë se çdo gjë tjetër, ndonëse për të arritur tek ajo duhet të bëjmë të gjithë një analizë të thellë, duke qenë se sezonin e kaluar, nuk fituam as një prej dy kupave kombëtare. Prandaj, sivjet dua që të jetë viti i kthesës së madhe”, bëri hyrjen e tij Mbape për “Gazzetta”-n.

Kilië, mendoni dhe ju se PSG-ja tashmë është më e pjekur si skuadër për të synuar Ligën e Kampioneve?

Në verë, përpara startit të këtij sezoni, bëmë disa afrime shumë të mira në skuadër, por edhe sezonin e kaluar u duk e njëjta gjë dhe më pas u eliminuam në 1/8-at nga Mançester Junajtid. Edhe dy sezone më parë ishte e njëjta ndjesi, por në fund ajo që ka rëndësi është vetëm rezultati i fushës. Prandaj, tani bëjmë mirë që të fokusohemi totalisht dhe vetëm te Dortmundi. Te asgjë tjetër…

Përveç 98 fëmijëve që ju kanë idhull dhe që keni vendosur t’i shoqëroni që nga hapat e parë të jetës, falë fondacionit tuaj, cilët kanë qenë idhujt e fëmijërisë së Kilië Mbapesë?

Si francez që jam, është normale që të rritesh me mitin e Zinedin Zidanit, por një tjetër idhull imi ishte Kristiano Ronaldo, të cilin tashmë kam pasur mundësinë që jo vetëm ta takoj disa herë, por edhe të luaj si kundërshtar në fushë, madje edhe me kombëtare. Por, gjithashtu kam dashur edhe ikonat braziliane si Pele, Ronaldinjo, Ronaldo da Lima dhe Kaka. Prandaj, me anë të fondacionit tim, dua që t’u ushqej këtyre fëmijëve besimin dhe kultivimin e ëndrrave të tyre, siç bëra unë duke parë këta kampionë madhështorë në fushë, prej të cilëve gjeta shtysën që të punoj çdo ditë dhe më shumë.

mbape

Duke mbetur te Ronaldo, çfarë mendoni për Juventusin e Sarrit?

E Sarrit apo e dikujt tjetër, Juventusi është një prej skuadrave më të forta të pesë viteve të fundit, siç tregon edhe fakti që në këtë periudhë kanë luajtur dy finale Champions-i. Bardhezinjve u ka munguar vetëm ai detaji i fundit dhe i vogël për të arritur te trofeu, por tashmë e kanë gjetur duke afruar Kristiano Ronaldon, lojtarin që të çon te trofetë më të mëdhenj. Prandaj, edhe sivjet Juventusi mbetet mes favoriteve absolute, ashtu sikurse pretendentet e tjera të përhershme, si Barcelona, Reali i Madridit dhe Liverpuli. Por, ndoshta, sivjet me afrimin e Sarrit, Juventusi ka dashur që të shtojë edhe lojën e bukur në fushë, përveç rezultatit. Dhe mbi të gjitha ka një grup lojtarësh që shpeshherë duket një luks i tepruar.

Ndërkohë te PSG-ja ka mbërritur Ikardi, i cili menjëherë ka ditur që të ambientohet dhe të lërë shenjën e tij… 

Mauro është një prej sulmuesve të zonës më të fortë në botë. Erdhi në Paris me shumë përulësi dhe u vu në shërbim të skuadrës, pa pretendime të mëdha. Stili i tij i lojës tashmë njihet nga të gjitha: ai di të shënojë gola dhe nuk mendon për asgjë tjetër kur është brenda zonës. Ka shënuar realisht shumë, duke treguar se është një element shumë i rëndësishëm për PSG-në dhe unë shpresoj që të ruajë të njëjtin ritëm edhe në këtë fazë të dytë, sidomos në Champions.

Mbape-Ikardi

 Është Ikardi edhe një stimul më shumë për ju, kur e gjeni përkrah në fushë? 

Edhe unë shënoj shumë, por kjo nuk do të thotë se dua që të vë në hije ndonjë prej shokëve të mi, për ta pasur skenën për vete. Përkundrazi, me Ikardin kuptohem mjaft mirë dhe mendoj se duke pasur dy stile të ndryshme lëvizjesh në fushë, mund ta kompletojmë edhe më shumë njëri-tjetrin dhe skuadrën. E rëndësishme është që të ruajmë ritmin.

Tjetër lojtar me të cilin kuptoheni me sy mbyllur është Verrati…

Marko është një gjeni dhe kjo dallohet qartë. Realisht është lojtari që më ka mahnitur më shumë, që kur kam mbërritur në Paris. Sidomos për mua është fat që kam një lojtar si ai përkrah.

mbape nejmar

Pastaj është edhe Nejmari, i cili duket se po rilind pas disa sezonesh të komplikuara… 

Është madhështor si lojtar, por edhe një person me të cilin shkoj shumë mirë edhe jashtë fushës. Për Nejmarin kanë qenë dy sezone të vështira, por sivjet po kthehet në nivelet e tij. Dhe ky është një lajm shumë i mirë për PSG-në dhe për ata që dashurojnë futbollin.

Por është edhe një lajm i keq për kundërshtarët tuaj, apo jo?

Sigurisht, sepse pak skuadra e kanë luksin që të rreshtojnë në fushë një sulm me mua, Nejmarin, Ikardin… Por nuk është sulmi që bën lojën. Madje, ne sulmuesit jemi ata që duhet të ndihmojmë edhe pjesën tjetër të skuadrës, pasi vetëm kështu mund të fitojmë diçka të rëndësishme.

Ju jeni vetëm 21 vjeç, por gjithsesi keni fituar shumë dhe keni ende një karrierë shumë, po shumë të gjatë përpara. Prandaj, po ju pyesim: Ju frymëzon më shumë një Mesi që ka fituar gjithçka duke luajtur vetëm me bluzën e Barcelonës apo një Ronaldo që ka fituar po aq shumë, por duke ndryshuar disa fanella? 

Për mua është shumë vonë, madje, për të bërë një karrierë si e Mesit, përndryshe do të më duhej që të kisha qëndruar te Monakoja. Prandaj, mbi këtë rrjedhë logjike dhe pa i hequr asgjë Mesit, dua të ndjek dhe të frymëzohem nga një karrierë si ajo e Kristiano Ronaldos.

Përgatiti: JETON STAMOLLA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"