Jo vetëm për titullin, ky është edhe derbi i merkatos për Tiranën e Partizanin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 21, 2022 | 16:52

Jo vetëm për titullin, ky është edhe derbi i merkatos për Tiranën e Partizanin

Ky derbi është ai i luftës së ashpër mes Tiranës dhe Partizanit në garën për titullin kampion, por nuk mbaron kurrsesi me kaq. Të tilla ndeshje janë prova të mëdha për të gjithë lojtarët, në të dyja skuadrat.

partizani tirana

“Yjet” e të dyja ekipeve me siguri janë të gjithë të hapur për një kalim jashtë vendit që në janar nëse ofertat vijnë. Në fund të fundit, kush nuk do ta dëshironte një kontratë me shifra shumë më të mëdha? Dhe derbi i sotëm është shansi i madh dhe i fundit. Është ndeshja më e fortë në vendin tonë dhe vëzhgohet nga shumë skautë, që janë gati të raportojnë në klubet e tyre.

Kështu, emra si Skuka, Xhixha, Rrapaj, Kallaku e të tjerë, kanë shansin e fundit për këtë sezon, që të bindin një klub më të madh dhe të lënë Superioren që në janar. Por monedha ka edhe anën tjetër të saj. Të dyja klubet kanë disa lojtarë në organikë, nga të cilët është pritur më shumë, por nuk kanë arritur pritshmëritë.

Ky derbi është ndalesa e fundit e tyre për të fituar besimin e trajnerëve dhe drejtuesve dhe për të vijuar edhe pas merkatos së dimrit të jenë pjesë e dy ekipeve kryeqytetase.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"