“Jetuam 1 muaj në pyll për t’iu shpëtuar bombave”, historia rrëqethëse e yllit të Kosovës: Hipëm në traktorë, të fshehur nën thasët me grurë…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 9, 2021 | 10:33

“Jetuam 1 muaj në pyll për t’iu shpëtuar bombave”, historia rrëqethëse e yllit të Kosovës: Hipëm në traktorë, të fshehur nën thasët me grurë…

Dhoma e zhveshjes së përfaqësueses së Kosovës mbartin një sërë historish të jashtëzakonshme, përvoja të tmerrshme. Janë këta djem të rinj që sot shijojnë futbollin dhe jetën, por ekzistenca e të cilëve ishte një hap larg nga “ferri”, si pasojë e luftës së tmerrshme që shkaktoi mijëra vdekje dhe njerëz të shpërngulur… Një dramë që ende e turpëron Europën dy dekada më vonë.

kosova-sevilla1

Në mars, Samir Ujkani, kapiteni kosovar, i tha MARCA sesi babai i tij e nxori jashtë vendit, sepse një gjykatës serb e paralajmëroi: nëse nuk largohej, serbët do ta përndiqnin. Të afërmit e tij që vendosën të qëndrojnë në Kosovë humbën jetën nga lufta, bombardimet serbe. Vedat Muriqi, sulmuesi i Lazios, në moshën 4-vjeçare e dinte se si është zhurma e kallashnikovit dhe e raketave.

Ai mban mend që iku nga shtëpia, u fsheh në një tavernë me më shumë se 50 njerëz, flinte në kuti me shishe dhe me dy litra qumësht për të gjithë. Në shpirt mban lotët e nënës së tij dhe të fëmijëve të tjerë të mbyllur atje, kur kërkonin ushqim. “Dieta” e tij; mëngjes, drekë dhe darkë, ishte qepë dhe bukë. Trupat serbe mbërritën në shtëpinë e tyre dhe u dhanë dy orë kohë për të shpëtuar, para se t’i fshinin të gjithë. “Zoti na mbrojti”, – kujton ai.

Historia e Mërgim Vojvodës është një tjetër dramë, që të rrëqeth trupin. Prindërit e tij vendosën të iknin në veri. Lojtari i cila aktualisht aktivizohet te Torino duhej të linte shtëpinë e tij dhe të fshihej për t’iu shpëtuar bombardimeve të vazhdueshme të paramilitarëve serbë.

vojvoda-scaled

Ishte vetëm 3 vjeç, kur toka e tij ishte mbushur me gjak. Babai i tij, një ushtarak, e kuptoi menjëherë pas kësaj që, nëse nuk iknin, më e keqja i priste në një vend ku vdekja ishte e shfrenuar. Me gruan dhe katër fëmijët, ai shkoi në veri, në një pyll. Mërgimi nuk e harron dramën e përjetuar qysh fëmijë:

“Ne jetuam në pyll për një muaj, që t’iu shpëtonim bombave, fshatrave të shkatërruar. Hipëm në traktorë, të fshehur nën thasët me grurë. Na duhej të flinim në natyrë: të lodhur, të uritur, në të ftohtë, plot etje për ujë…”

Familja Vojvoda ia doli mbanë dhe një ditë kaloi kufirin e Republikës Çeke. Ata lanë tokën e tyre prapa, që u përshkua nga lumenj gjaku. Sidoqoftë, “Odiseja” e tij nuk kishte mbaruar. Babai, vëllai dhe motra e Mërgimit u arrestuan për hyrje të paligjshme në vend. Për javë të tëra, familja e tij u shpërnda.

Së bashku me nënën dhe dy vëllezërit e tjerë, ai duhej të mbijetonte në kushte të jashtëzakonshme. Gjashtë muaj më vonë u bashkuan përsëri dhe gjetën një mënyrë për të arritur në një vend, që u bë streha e mijëra kosovarëve, përfshirë edhe tezen e Mërgimit: Belgjika.

Atje, Vojvoda gjeti paqen që kërkonte, por me dhimbjen e të diturit se shumë nga njerëzit që njihnin nuk do t’i shihnin më kurrë. Futbolli, i cili ishte një element tjetër i përditshëm në familjen e tij, shërbeu si mjet i rëndësishëm për integrimin e një djali që luajti si mbrojtës i djathtë. Në moshën 16 vjeçare, më 2011, ai hyri në akademinë e Standard Liezh. Dera e futbollit profesional u hap dy vite më vonë, kur u huazua te St.Truiden me premtimin se në kthim do të ishte pjesë e ekipit të parë.

Sidoqoftë, e gënjyen. Në moshën 20 vjeçare u dërgua te Karl-Zeis Jena, ekip nga ish-RDGJ, që militonte në kategoritë e ulta të futbollit gjerman. Në një hotel me kushte dëshpëruese dhe duke fituar 600 euro në muaj, Mërgimi edhe një herë u ndje i braktisur nga fati. Aq sa mendoi ta linte futbollin dhe të kërkonte një punë. Megjithatë, nuk mundi të hiqte dorë nga pasioni i madh.

torino

Dhe kishte të drejtë. Klubi belg i Mouskron “vuri bast” për të dhe e afroi për t’u blerë përsëri nga Standard Liezh (1.2 milionë euro). Sot është lojtar i rëndësishëm për Torinon në Serie A, ku luan nga sezoni i kaluar.

Vojvoda tani ka një kontratë elite si futbollistit, por nuk harron se nga vjen: “Unë fitoj para, sa nuk i kisha menduar kurrë. Kam gjëra që nuk mund t’i imagjinoja, por nuk harroj nga vij. E di se sa kushton për të fituar para dhe jam krenar për atë që kam arritur”.

Drama e kaluar bëri që ta shikonte gjithnjë Kosovën me mall, si për atdheun e tij. Për këtë arsye, kur FIFA lejoi “Dardanët” të luanin në kualifikuese, ai nuk hezitoi. Pranoi ndryshimin që i lejoi kosovarët të ndryshonin ekipin e tyre kombëtar.

Ai është një nga ata që falënderoi Shqipërinë (ku luajti me U-21) dhe veshi fanellën e Kosovës. 10 Nëntori 2016 Vojvoda mori lejen për të luajtur me Kosovën.

Më 11 qershor 2017 (1-4 kundër Turqisë) debutoi me kombëtaren “Dardane”. Ai ka luajtur tashmë 38 ndeshje (pa sfidën e mbrëmshme kundër Spanjës), një shifër që e barazon vetëm Rrahmani.

“Për mua, të luaj me Kosovën është si të jem përsëri në luftë. E konsideroj veten si një ushtar që mbron vendin e tij, shtëpinë e tij”.

Ky është Mërgimi, që në shqip do të thotë “mërgim”, nga i cili nuk kanë shpëtuar mijëra shqiptarë, këndej e andej kufirit zyrtar, por jo vetëm, nga të gjitha trojet shqipfolëse.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"