“Jemi ndërtuar për të fituar, tentojmë 3 pikët”, Daja i Teutës: E mposhtim Partizanin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 21, 2021 | 13:00

“Jemi ndërtuar për të fituar, tentojmë 3 pikët”, Daja i Teutës: E mposhtim Partizanin

Teuta ia doli të kalon te në gjysmëfinalen e Kupës, duke mundur Kukësin në Durrës dhe kjo ndeshje shihet si një pikë kthese për skuadrën e Edi Martinit në prag të përballjes me Partizanin për kampionat. Sfida me “demat”, që do të luhet të dielën në orën 16:00 në stadiumin “Elbasan Arena”, vjen në një moment delikat të sezonit për durrsakët, që tashmë duan të bëjnë gjithçka për t’u afruar sa më shumë me kreun. Një prej lojtarëve që shkëlqeu në ndeshjen ndaj Kukësit ishte edhe mesfushori Asion Daja. Ky i fundit ka luajtur në të kaluarën edhe për Partizanin, ndërsa në një intervistë për “Panorama Sport”, beson se këtë herë “djemtë e detit” do të marrin maksimumin ndaj të kuqve. Dy ndeshjet e deritanishme kanë përfunduar në barazim 0-0 dhe 1-1.

DAJA

Asion, nga barazimet radhazi në kampionat te kualifikimi në Kupë ndaj Kukësit. Ju kënaq kjo ecuri apo duhet të kishit bërë më tepër?

Për hir të së vërtetës, Teuta këtë sezon është ndërtuar për të fituar në çdo ndeshje, pavarësisht se së fundmi në kampionat kemi bërë hapa fals. Pastaj, ndeshja e kupës me Kukësin kishte një specifikë tjetër dhe ajo fitore na dha një gjendje psikologjike më të mirë për vazhdimësinë në kampionat. Mendoj se kjo është shumë e rëndësishme në këtë fazë të nxehtë të sezonit. Duhet të shohim vetëm përpara.

Luani me Partizanin të dielën, që ka konsumuar 120 minuta ne Laç. Mendoni se ky fakt mund t’ju favorizojë disi në duelin me të kuqtë? 

Edhe ne kemi bërë një 90- minutësh shumë të luftuar kundër një ekipi si Kukësi, që ka kualitete. Nuk mendoj se ky faktor ndikon, sepse gjendja fizike do të jetë e njëjtë për të dyja ekipet. Thjesht ndryshimi është që ne u kualifikuam dhe Partizani jo, por do të jetë ndeshje shumë e fortë dhe nuk ka lidhje me atë që skuadrat zhvilluan në mesjavë.

Në këtë situatë, a do t’ju kënaqte edhe një pikë ndaj një rivali direkt si Partizani?

Siç e përmenda më lart, Teuta është e ndërtuar për të fituar këtë sezon dhe në çdo ndeshje duam vetëm tri pikët. Teuta nuk është e kënaqur me barazimin, sidomos në një fushë të mirë si ajo e Elbasanit. Do të kërkojmë maksimumin në këtë takim. Natyrisht, e kemi studiuar Partizanin dhe ia dimë pikat e forta dhe të dobëta. Unë besoj se do jetë një përballje shumë interesante.

Dikur luanit për Partizanin, por nuk mund të fitonit trofe. A keni ndonjë ndjesi të veçantë kur përballeni si kundërshtar me të kuqtë?

Kam kaluar vite të bukura dhe të suksesshme te Partizani, por unë jam profesionist dhe dua që të fitojmë këtë përballje. Fitorja e Teutës do ishte sikur të kem shënuar vetë gol, pasi jemi rivalë direkt për titull me Partizanin dhe tri pikët në këtë takim kanë shumë rëndësi.

Teuta vazhdon ta ketë të vështirë që të mbyllë ndeshjet dhe në përgjithësi të shënojë. Si e shpjegoni këtë fakt?

E rëndësishme është të dalësh para portës, pasi golat do të vijnë. Jemi në një faze të kampionatit, ku skuadra që gabon më pak, do të fitojë ndeshjet. Të gjitha ekipet luajnë me shumë kujdes ndaj nesh, ndërsa Teuta është një ekip me ekuilibër të plotë. Ndoshta nuk kemi golavarazhin më të mirë në kampionat, por kemi mbrojtjen më të mirë.

Mendoni se keni më shumë shanse për titullin apo për Kupën?

I kemi mundësitë që t’i fitojmë të dy trofetë dhe këtë e bazoj te grupi i lojtarëve që kemi. Skuadra ka kontingjentin e duhur për të bërë mirë në të dyja frontet. Natyrisht duam t’i shkojmë deri në fund si kampionatit dhe Kupës. Për momentin jemi të fokusuar te ndeshja me Partizanin dhe nëse marrim maksimumin, do të ishte një hap i madh.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"