“Jemi gati për Besën, shoh vetëm pikët e plota”, Erzenit i mbyllin stadiumin, Dede: Të vulosim ngjitjen!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 23, 2022 | 10:34

“Jemi gati për Besën, shoh vetëm pikët e plota”, Erzenit i mbyllin stadiumin, Dede: Të vulosim ngjitjen!

Në Shijak nuk e diskutojnë ngjitjen në elitë, por shpresojnë që llogaritë t’i mbyllin që sot. Kanë vetëm 5 pikë më shumë se Korabi, ndaj asgjë nuk e kanë ata në dorë.

NEVIL DEDE

Nuk do të mjaftonte vetëm një fitore kundër Besës për të prerë një biletë, pasi duhet të “luten” edhe për një ndalesë të Korabit.

Kjo duket disi e vështirë, kur dihet që dibranët do të përballen me Shkumbinin e rënë tashmë nga kategoria dhe 1001 e halle të tjera.

Nevil Dede është optimist ama, ndonëse duhet t’i bëjë llogaritë pa një lojtar të rëndësishme në 90-minutëshin me kavajasit. Amos Dikson ka plotësuar numrin 4 të kartonëve, ndaj nuk mund të jetë pjesë e formacionit.

Nëse për mbrojtësin është gjetur zgjidhja, hall më vete do të jetë mungesa e tifozëve. Sjellja në “Roza Haxhiu” i ka kushtuar rëndë, pasi dje Komisioni i Disiplinës doli me vendim dhe e pezulloi me 4 ndeshje (pa llogaritur gjobën prej 500 mijë lekësh).

Tani që Erzenit i duhet më shumë se kurrë mbështetja e sportdashësve, nuk do ta kenë. Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, numri një i pankinës e quan finale këtë me fqinjët nga Kavaja.

Edhe pse do të donte që të kishin në krah edhe lojtarin e 12-të, ai llogaritë i bënë vetëm me pikët e plota.

“Jemi të gatshëm për t’u ballafaquar me Besën. I presim në shtëpi dhe llogaritë bëhen vetëm me pikët e plota. E vetmja mungesë që kemi është ajo e Diksonit.

Mbrojtësi ka plotësuar kartonët, ndërsa pjesa tjetër është në dispozicion. Fitoren nuk duhet ta diskutojmë. Le të shpresojmë që ta festojmë dy javë para mbylljes ngjitjen në elitë”, ka përfunduar tiranasi i stolit shijakas.

FIQIRI SHEHU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"