Janë të federuar që nga vjet, Flamurtari kërkon të rikthejë Sukajn e Gocajn

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 3, 2021 | 10:32

Janë të federuar që nga vjet, Flamurtari kërkon të rikthejë Sukajn e Gocajn

Flamurtari nuk heq dorë nga përforcimi i ekipit. Merkato nuk mund të bëjnë dot, megjithatë e kanë gati një plan. Ata po përgatisin dy rikthime “big”. Bëhet fjalë për shkodranët Xhevahir Sukaj dhe Olsi Gocaj. “Panorama Sport” zbulon se klubi u ka kërkuar shkodranëve që të vijnë në Vlorë, atje ku luajtën edhe sezonin e shkuar. E ndërsa emri i Olsi Gocajt u përfol që para një jave, së fundmi në skenë ka dalë edhe emri i sulmuesit me përvojë Xhevahir Sukaj. Ka qenë vetë administratori Sinan Idrizi që ka takuar sulmuesin dhe i ka kërkuar të rikthehet. Mësohet se 33-vjeçari e ka pritur mirë ofertën, duke e lënë të hapur si opsion. Palët kanë rënë dakord me kushtet dhe kanë shprehur dëshirën e bashkëpunimit. Vetë Idrizi ka komunikuar edhe me Olsi Gocajn dhe prej këtij të fundit ka marrë përgjigje pozitive. Nëse ky “operacion” realizohet, atëherë Dritan Resuli mund të marrë frymë lirshëm.
pjimage (4)
Olsi Gocaj (m) dhe Xhevair Sukaj (d)

FEDERIMET
Në një kohë kur merkatoja është e bllokuar dhe lojtarët që mund të vijnë në Vlorë nuk regjistrohen dot, ekziston një çështje tjetër në rastin e Xhevahir Sukajt dhe Olsi Gocajt. Këta të fundit nuk kanë nevojë për federim, pasi sezonin e kaluar kanë qenë lojtarë të Flamurtarit dhe aktualisht janë të lirë. Që prej largimit nga Vlora, shkodranët nuk janë aktivizuar në asnjë ekip. Ky është një favor për kuqezinjtë, të cilët në kushtet që gjenden, do të mund ta cilësonin si “fitore” afrimin e dy futbollistëve.

RIKTHIMI
Flamurtari rikthen David Bocajn. Mesfushori i është bashkuar skuadrës së Dritan Resulit, duke dalë në stërvitje. Ai është produkt i akademisë vlonjate, por deri pak javësh ishte pjesë e Orikut. Pasi ka ndërprerë kontratën, mesfushori ka vendosur të kalojë te kuqezinjtë. Megjithatë, Bocaj mbetet pezull. Ai nuk mund të aktivizohet pa u zhbllokuar fillimisht merkatoja. Me Flamurtarin po stërvitet prej kohësh edhe braziliani Paolo Rikardo, por as ai nuk është federuar. Pa ardhur vistoja prej FIFA-s, sulmuesi nuk mund të luajë.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"