“Jam i bindur për ngjitjen”, kapiteni Karakaçi llogarit trepikëshin ndaj Flamurtarit: Barazimi nuk bën për ne

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 20, 2023 | 22:46

“Jam i bindur për ngjitjen”, kapiteni Karakaçi llogarit trepikëshin ndaj Flamurtarit: Barazimi nuk bën për ne

Elbasani luan nesër një përballje “zjarri” në Vlorë, atje ku e pret Flamurtari. Dy kundërshtarë, të cilët i kanë shpalosur që në fillim objektivat e tyre për ngjitjen në elitë dhe ky 90-minutësh është një copëz që të çon drejt arritjes së këtij synimi.

karakaci

Verdheblutë e kanë vlerësuar në maksimumin këtë sfidë, por nuk e shohin aspak si vendimtare, pasi luhet vetëm java e tetë e kampionatit. Të paktën, kështu shprehet në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport”, kapiteni Abaz Karakaçi.

“Këtë kampionat ne kemi hyrë me synimin për të mos i parë se cilat skuadra kemi përballë. Për ne, të gjitha kanë respektin dhe vlerësimin maksimal. Në fund të fundit, çdo ndeshje vlen tri pikë. Përjashtim nuk mund të bëjë as Flamurtari, të cilin e kemi vlerësuar si kundërshtar. Nuk mund të flitet për duel vendimtar kaq herët.

Vetëm java e 8-të do të luhet. Asnjë rezultat nuk na shpall kampionë apo na largon nga objektivat. Është një ndeshje radhe, në të cilën kërkohet të merret maksimumi. Asgjë më shumë se kaq”, u shpreh fillimisht mesfushori, i cili ka marrë edhe shiritin tek elbasanasit.

NUK LUHET PËR BARAZIM

Shkodrani pohon se nuk kënaqet me barazimin në Vlorë dhe se do të luajnë për ta fituar këtë ndeshje, ndonëse e pranon se nuk do të jetë e lehtë. “Asnjëherë nuk kam hyrë në një ndeshje që të kënaqem me një pikë. E njëjta gjë edhe për nesër. Vetëm fitorja na kënaq dhe me këtë motiv do të hyjmë në fushë, edhe pse nuk do të jetë e lehtë”, theksoi 31-vjeçari.

SITUATA DHE DEFEKTET

Karakaçi sheh një skuadër në rritje në çdo aspekt, edhe pse nuk bëhet fjalë për perfeksion. “Normalisht që kemi ende gjëra për të përmirësuar, nuk ka gjëra perfekte në futboll. E rëndësishme është që skuadra po rritet në çdo ndeshje”, vijoi më tej lojtari, që numëron 609 minuta në kampionat.

DISTANCA ME KREUN

Nuk e shqetëson as fakti që nuk janë në vendin e parë, pasi për të rëndësi ka që në fund do të jenë ata në “pod”. “Ne shohim pak më larg se kaq dhe jo thjesht një vend të parë në këto momente. Ndodh të mos jesh në krye në fillim të një kampionati, por rëndësi ka që ta kapësh në fund. Dhe jam i bindur se në fund Elbasani do të jetë i pari dhe do të sigurojë synimin për ngjitjen në Superiore”, mbylli prononcimin e tij për gazetën Abaz Karakaçi, i cili është kthyer në një lider për Elbasanin.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"