Italia, 6 risi për Katarin/ Nga mbrojtja në sulm, ja çfarë do të ndryshojë tek kampionët e Europës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 14, 2021 | 14:56

Italia, 6 risi për Katarin/ Nga mbrojtja në sulm, ja çfarë do të ndryshojë tek kampionët e Europës

E vërtetë që ekipi fitues nuk ndryshohet, por kampionët e Europës kanë nevojë për freski, aq më tepër nëse duan të thellohen në histori duke u futur mes kombëtareve që kanë mundur të rradhitin një Europian e një Botëror njëri pas tjetrit. Zaniolo, Skamaka, madje Tonali dhe Sensi në pritje të ndonjë shprese si Rovela apo Fratezi janë ndër kandidatët kryesorë për të veshur fanellën e Italisë, por le t’i marrim me rradhë.

donaruma italia 1

MBROJTËS I DJATHTË – Mançini e ka përsëritur gjithmonë se kërkon lojtarë që janë gati në çdo moment. Nëse në të majtë Emerson e Spinacola japin garanci, në të djathtë duhet bërë diçka. Florenci ka një moshë të caktuar e po ashtu Toloi, ndaj Di Lorenco është e vetmja siguri nëse trajneri nuk vendos të përshtasë në atë rol Mançinin e Romës. Kalabria do të ishte kandidati ideal, sidomos nëse konfirmon një tjetër sezon si ai i kaluari.

ÇËSHTJA “KIELINI” – Nuk gjendet lehtë një dyshe si ajo Bonuçi-Kielini, por ky i fundit në Katar do të jetë 38 vjeç e për më tepër s’e ka vendosur nëse do të vazhdojë të luajë me Italinë. Mançini mund të tentojë ta bindë, por fiziku i tij nuk jep garanci, ndaj duhet rritur edhe më shpejt Bastoni, ndërkohë që edhe Romanjoli do të ketë një shans të fundit për të bërë hovin cilësor.

kielini italia

NUMRI 9 – Ajo e pykave është një racë në zhdukje, por Spanja, Gjermania e ndonjë tjetër kanë të njëjtin problem me Italinë që nuk ka një bomber të mirëfilltë. Imobile e Beloti prodhojnë shumë për ekipin, por pak për vete, ndaj shpresat e Mançinit janë te Skamaka, përveçse te Raspadori që ishte pjesë e grupit fitues në “Euro”. Që të dy mund të kombinohen mirë pasi kanë cilësi të ndryshme, teksa Italisë do t’i ofronin mundësinë për të luajtur edhe me 3-5-2-. Kandidat ideal do të ishte edhe Pietro Pelegri, nëse kalon vështirësitë dhe konfirmohet ai talent kristalin që patëm parë për pak muaj në radhët e Xhenoas, teksa djaloshi në fjalë ishte ende minoren. Në këtë kategori fare mirë ka vend edhe për Kenin, sidomos nëse vazhdon të shënojë në rastet e pakta që jep Poçetino te PSG-ja.

DUKE PRITUR ZANIOLON – Goditja e madhe do të ishte rikthimi i Nikolo Zaniolos që konsiderohet lojtari më i mirë italian i viteve të fundit. I aftë të luajë në mesfushë, por edhe në tredhëmbëshin ofensiv. Romanisti do të plotësonte më së miri edhe një vijë të parë të përbërë nga ai, Skamaka dhe Kieza. Të rinj e të fortë, me mendjen në Katar.

PO TONALI DHE SENSI? – Mesfusha e Italisë ka nevojë për alternativa në lartësinë e Barelës dhe Verratit, teksa edhe Zhorzhinjo po shkon drejt të 30-ave. Sensi dhe Tonali kanë një perspektivë të mirë, por edhe Pelegrini i Romës ofron garanci të mjaftueshme për të qenë mes 24 të grumbulluarve për Botëror. Që të tre kanë treguar, kur edhe forma i ka mbështetur, se janë në gjendje të bëjnë diferencën. Sensi përpara se të thirrej nga Interi dhe Tonali i ditëve të arta te Bresha janë profile që meritojnë respekt dhe ftesë në kombëtare.

SHPRESAT – Italia po prodhon shumë edhe në nivel lojtarësh nën 21 vjeç. Rovela, Riçi, Maxhore dhe Pobega janë vetëm disa nga yjet e skuadrës së Nikolatos, por shumë do të varet nga zhvillimet në karrierën e secilit. Milani ka hequr dorë përkohësisht nga Pobega, ndërsa Alegri mban ende pezull Rovelën. Xholi i Mançinit mund të jetë edhe Fratezi që në Europianin e fundit U-21 bëri të gjitha rolet përveç portierit dhe pykës. Kalafiori do të tentojë hovin cilësor si mbrojtës i djathtë të Roma e Murinjos që nuk do të ketë Spinacolën, ndërsa edhe për Luka Pelegrinin mund të ketë një telefonatë në momentin e fundit…

it

Përgatiti: REINOLD BAKALLI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"